SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Aeroporti i Vlorës strategjik, shteti do të garantojë funksionimin pavarësisht mosmarrëveshjeve mes aksionarëve

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi sot se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës përbën një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të dekadës në Shqipëri dhe se çdo vonesë apo bllokim i tij, sjell pasoja të drejtpërdrejta ekonomike dhe reputacionale për vendin.

Gjatë një konference për shtyp, ministri u ndal te situata e krijuar si rezultat i mosmarrëveshjes mes aksionarëve, ndërsa siguroi se shteti do garantojë funksionimin pavarësisht mosmarrëveshjeve mes aksionarëve, ku klauzolat theksoi ai nisin me vendosjen e penaliteteve e deri në zgjidhje të njëanshme të kontratës koncesionare.

“Aeroporti i Vlorës përfaqëson një pikë kritike të sovranitetit dhe sigurisë kombëtare, mbi të cilin shteti ushtron kompetenca të plota mbikëqyrëse dhe rregullatore. Mosoperimi apo bllokimi i tij nuk është thjesht çështje biznesi privat, por çështje e interesit publik dhe shtetëror”, u shpreh Karakaçi.

Sipas ministrit, çdo ditë vonesë në realizimin e projektit përkthehet në humbje ekonomike për operatorët turistikë, komunitetin lokal dhe buxhetin e shtetit, ndërsa dëmton edhe imazhin e Shqipërisë në sytë e investitorëve të huaj.

“Situata po dërgon mesazhe negative tek investitorët e huaj”, deklaroi ministri.

Karakaçi theksoi se aeroportet koncesionare me karakter strategjik janë nën mbikëqyrjen e shtetit, i cili garanton funksionimin e tyre në përputhje me kuadrin ligjor dhe kontraktor.

Ministri nënvizoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur të gjitha fazat e projektit në përputhje me detyrimet ligjore dhe kontraktore, ndërsa shprehu shqetësim për vonesat e krijuara.

“Bllokimi fizik i kantierit, konfliktet gjyqësore ndërmjet aksionarëve dhe shkeljet kontraktore kanë sjellë vonesa kritike dhe dëm reputacional ndaj projektit. Kjo sjellje nuk do të tolerohet dhe shteti do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të garantuar respektimin e detyrimeve”, deklaroi ai.

Sipas tij, konflikti që ka penguar zhvillimin e aeroportit është një mosmarrëveshje civile dhe kontraktore mes palëve private, ku Ministria nuk është palë dhe nuk mban interes në favor të asnjërës palë aksionere.

Megjithatë, ai theksoi se shteti shqiptar ka detyrimin të garantojë që asnjë mosmarrëveshje mes subjekteve private të mos pengojë realizimin e një infrastrukture me rëndësi kombëtare.

“Zgjidhja e konfliktit u takon palëve dhe gjykatave kompetente, por kjo nuk mund të shërbejë si justifikim për moszbatimin e detyrimeve kontraktore dhe mosvënien në funksion të aeroportit. Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës aktualisht nuk është operacional. Duhet të kuptojmë se, në kuptim të kësaj kontrate koncesionare dhe në përgjithësi të aeroporteve, operacionaliteti nuk lidhet vetëm me ndërtimin e veprës civile, por edhe me marrjen e të gjitha certifikatave përkatëse për lejimin e operimit ajror. Ky proces ende nuk ka përfunduar dhe është fakt publik që nuk është arritur as përmbyllja e plotë e infrastrukturës civile dhe as operacionaliteti sipas kushteve të kontratës, të cilat duhet të ishin përmbushur deri në këtë moment. Mosmarrëveshja që ka marrë vëmendje publike gjatë kësaj periudhe është një konflikt privat mes dy shoqërive që kanë marrë pjesë me vullnetin e tyre në garën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Kjo mosmarrëveshje, e cila ka kaluar nga niveli civil në procese gjyqësore dhe deri në procedura penale, po ndikon në vonesat e mëtejshme të realizimit të operacionalitetit të aeroportit dhe në reputacionin e projektit”, tha ministri.

Ai shtoi se ngjarjet e fundit janë të papëlqyeshme si për qytetarët shqiptarë, për të cilët kjo vepër infrastrukturore është e rëndësishme, ashtu edhe për qeverinë dhe shtetin shqiptar, i cili synon zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë përmes këtij investimi.

“Për këtë arsye, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është e angazhuar të zbatojë të gjitha klauzolat përkatëse të kontratës koncesionare, në mënyrë që të garantojë realizimin e operacionalitetit të aeroportit, pavarësisht mosmarrëveshjeve mes palëve”, u shpreh ministri.

Ai shtoi se Ministria është e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet ligjore dhe kontraktore, përfshirë aktivizimin e klauzolave përkatëse, për të siguruar hapjen dhe funksionimin e aeroportit të Vlorës sipas afateve të përcaktuara.

“Klauzolat parashikojnë së pari vendosjen e penaliteteve, për të cilat MIE në varësi të vonesave përkatëse dhe në bazë të kushteve të kontatës do të vijojë me përcaktimin e tyre. Pastaj vijojnë që nga dërgimi i një plani mitigues për rregullimin e pasojave të kontratës që mund të rezultojë në shtyrje të afatit të kontratës koncesionare, apo deri në zgjidhje të njëanshme të kontratës koncesionare, në varësi të argumenteve ligjore përkatëse sipas rastit”, tha ministri.

Punimet në terren për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës nisën zyrtarisht në nëntor 2021 nga konsorciumi Mabco Construction, YDA Group dhe 2A Group.

Sipas planit fillestar të kontratës dhe deklarimeve të investitorëve, aeroporti ishte parashikuar të përfundonte brenda rreth tre viteve, me synimin që të ishte funksional dhe të niste operimet brenda kësaj periudhe

Konflikti për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës lidhet me një përplasje mes aksionarëve të kompanisë koncesionare Vlora International Airport (VIA), Mabco Construction dhe 2A Group, e cila ka kundërshtuar strukturën e menaxhimit dhe mënyrën e ushtrimit të kontrollit mbi projektin.

Mosmarrëveshjet për ndarjen e aksioneve dhe të drejtave vendimmarrëse janë përshkallëzuar në procese gjyqësore dhe masa ligjore të ndërsjella, duke çuar në bllokim të administrimit të kompanisë dhe si pasojë në vonesa dhe pezullime të punimeve në terren.

Situata ka krijuar një ngërç mes palëve private, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e projektit.

Vënia në funksion e aeroportit do të mundësojë lidhje direkte me destinacione europiane dhe rajonale, zgjatje të sezonit turistik, rritje të fluksit të vizitorëve dhe lehtësim të investimeve të huaja në zonën bregdetare.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, foto: Enea Karakaçi (Arlinda GJONAJ)///

1 nga 8

/j.

error: