SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Tabaku: Liria e medias nuk matet me zhurmë politike apo statistika propagande

/ Deputetja e Partisë Demokratike, Kryetare e Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, reagoi sot ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama mbi lirinë e medias në Shqipëri, duke theksuar se zhurma nuk është liria e medias.

Tabaku u shpreh se problemi kryesor nuk lidhet me praninë e debatit në televizione apo rrjete sociale, por me mungesën e besimit te një media e pavarur që mund të hetojë pushtetin, korrupsionin dhe vendimmarrjen publike.

Sipas saj, gjatë viteve është krijuar një sistem që kontrollon ekonominë, pushtetin lokal dhe median, duke prodhuar varësi ekonomike, presion dhe autocensurë.

“Gazetarët përballen çdo ditë me intimidim, diskreditim publik, përjashtim nga akseset institucionale apo presion ekonomik. Kjo prodhon jo liri reale, por një simulakër të saj”, deklaroi Tabaku.

Ajo theksoi se liria e medias nuk matet me numrin e deklaratave opozitare në ekran, por me mundësinë që gazetarët të hetojnë lirshëm pushtetin pa frikë nga kërcënimet apo ndëshkimet.

Deputetja demokrate shtoi se standardet europiane për lirinë e medias maten përmes institucioneve të pavarura, transparencës dhe besimit publik.

Ajo ngriti akuza ndaj qeverisë me argumentin se po zëvendëson problemet reale të medias me statistika propagande dhe zhurmë politike.

Reagimi i Tabakut erdhi pasi kryeministri Rama publikoi një analizë mbi pasqyrimin mediatik në vend, sipas së cilës zëri i opozitës në media arrin në 68.2%, ndërsa dukshmëria e qeverisë në 31.8%.

Sipas Ramës, analiza është realizuar nga një startup shqiptar i bazuar në inteligjencën artificiale dhe përfshin monitorimin e 106,962 artikujve në 47 media gjatë një periudhe 120-ditore.(Arlinda GJONAJ)

error: