Deputetja demokrate, Ina Zhupa përmes një video në rrjetet sociale ka bërë me dije se Edlira Gjidedes i është rikthyer mandati i Këshilltares bashkiake pas i ishte hequr nga Këshilli Bashkiak Sarandë.
Zhupa gjatë fjalës së saj theksoi se PD mbrojti deri në fund votën e qytetarëve dhe se pas betejës që nga viti 2024, Gjykata e Lushnjes vendosi që Gjidedes t’i kthehet mandati e cila theksoi se iu hoq në mënyrë të paprecedentë.
“Ndodhem në Gjykatën Administrative Lushnjë, jam bashkë me këshilltaren bashkiake Edlira Gjidede, tashmë me një betejë të fituar, për të mbrojtur mandatin e saj. Mandatin që i dhanë qytetarët e Sarandës. Në një betejë që ka filluar që nga tetori i vitit 2024, në mënyrë të paprecedentë Këshilli Bashkiak i Sarandës vendosi të votonte për t’i hequr mandatin, sepse zonja punon edukatore në kopshtet e Sarandës dhe kishte edhe mandatin e saj si këshilltare.
Betejë e paprecedentë. Ne shkuam te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, shkuam në ILDKPI, të dyja institucionet prodhuan shkresa zyrtare që nuk kishte papajtueshmëri të mandatit dhe konflikt interesi. Mirëpo patronazhistët në Këshillin Bashkiak të Sarandës nuk pyetën për shkresa shtetërore dhe prapë se prapë ia hoqën mandatin. Ne u detyruam të vinim të bënim një betejë ligjore në Gjykatën Administrative në Lushnjë. Bashkë me avokatin Marash Logu, kemi bërë këtë betejë dhe sot kemi arritur që të fitojmë mbrapsht mandatin e qytetarëve të Sarandës.
Kjo është një betejë që u bë për të mbrojtur votën e qytetarëve. Është një betejë që u bë për të treguar që Partia Demokratike nuk tërhiqet, Partia Demokratike i shkon deri në fund kauzave të saj. Unë si deputete dhe si drejtuese politike e Sarandës jam krenare që Edlira do të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak Sarandë, do të shkojë atje për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, duke kthyer mbrapsht atë mandat që donin t’ia rrëmbenin patronazhistët, por që nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin kurrë.
Sepse Partia Demokratike, ne njerëzit që përfaqësojmë këtë parti, do të qëndrojmë gjithmonë në krah të qytetarëve. Do ta mbrojmë votën deri në fund dhe do të jemi në një betejë shumë shpejt në zgjedhjet lokale për t’ia kthyer jo vetëm Këshillin Bashkiak, por edhe Bashkinë e Sarandës, qytetarëve të Sarandës”, shprehet Zhupa.///
ME SHUME LAJME
Kulturë. Në kujtim të Myrteza Lekës ose Tingujt që nuk shuhen kurrë.
”El Pais”: Sharmi i përjetshëm i Shqipërisë turistike
Paketa e Maleve po tjetërson pronat në Sarandë, Ervin Demo i përgjigjet akuzave