SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Memorie. Sami Frashëri, iluministi që frymëzoi Rilindjen Kombëtare

Iluministi dhe ideologu i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, lindi më 1 qershor 1850, në Frashër të Përmetit.

Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, ku mësoi disa gjuhë të huaja, si greqishten e vjetër, latinishten, frëngjishten dhe italishten.

Më 1872 u vendos në Stamboll, ku nisi veprimtarinë si gazetar, shkrimtar dhe studiues, duke ndërthurur veprimtarinë intelektuale me përkushtimin ndaj çështjes kombëtare. Si bashkëthemelues i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare dhe një nga drejtuesit e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (1879), ai luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e lëvizjes kulturore shqiptare.

Kryevepra e tij mbetet botimi “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, i botuar më 1899 në Bukuresht. Në këtë vepër ai shprehu idetë e tij demokratike për zhvillimin politik e shoqëror të vendit, si edhe për përparimin e arsimit, kulturës dhe shkencës. 57 veprat e botuara në disa gjuhë të botës dhe 20 mijë vëllimet e bibliotekës së tij personale e bëjnë atë një nga enciklopedistët më të mëdhenj shqiptarë.

Edhe pse u izolua nga autoritetet osmane për veprimtarinë e tij thellësisht pro lëvizjes kombëtare shqiptare, Sami Frashëri vijoi punën e cila ndriçoi rrugën e vendit drejt pavarësisë.

Sami Frashëri u u nda nga jeta në Stamboll më 1904, duke lënë pas një pasuri të çmuar në fushën e mendimit patriotik shqiptar. /(Edlira RUZI)///

error: