SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

 Himara mes destinacioneve më të kërkuara nga britanikët për verën e 2026-ës

Destinacionet e fshehura të Evropës po shndërrohen në pikat më të kërkuara të pushimeve për turistët britanikë.

– Himara po forcon pozitat si një nga perlat turistike të Mesdheut, ndërsa interesi i turistëve britanikë, për qytetin bregdetar të Rivierës Shqiptare, është rritur ndjeshëm, shkruan Sarra Gray në një artikull të botuar në median britanike “GB News”.

Të dhënat e reja të platformës “Airbnb” tregojnë se gjithnjë e më shumë pushues nga Britania e Madhe po orientohen drejt destinacioneve më pak të njohura, në kërkim të natyrës së paprekur, përvojave autentike dhe çmimeve më të favorshme.

Në këtë trend të ri evropian, Himara renditet mes destinacioneve që po tërheqin vëmendjen më të madhe.

Sipas të dhënave të publikuara nga “Airbnb”, turistët britanikë po kërkojnë gjithnjë e më shumë alternativa kundrejt destinacioneve tradicionale, ndërsa Shqipëria dhe Kroacia janë ndër vendet që po përfitojnë më shumë nga kjo tendencë.

Në Britaninë e Madhe, kërkimet për pushime brenda vendit janë rritur me më shumë se 11 për qind krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, në Evropë, turistët po shikojnë gjithnjë e më shumë përtej destinacioneve klasike.

Të dhënat e reja për rezervimet dhe kërkimet tregojnë një rritje të fortë të interesit për Shqipërinë, ku Himara spikat si një nga destinacionet më të preferuara.

Qyteti piktoresk i Rivierës Shqiptare ka shënuar një rritje prej 92 për qind të kërkimeve krahasuar me një vit më parë.

Me plazhet e kristalta, gjiret e fshehura, peizazhet mbresëlënëse mes detit dhe maleve, si dhe me çmime ende konkurruese krahasuar me shumë vende të Mesdheut, Himara po shihet si një alternativë ideale për pushuesit, që duan të shmangin turmat e destinacioneve të mbipopulluara.

Përveç bukurive natyrore, zona ofron edhe një kombinim të trashëgimisë historike, gastronomisë tradicionale dhe jetës bregdetare, elementë që po e bëjnë gjithnjë e më tërheqëse për turistët e huaj.

Raporti, i bazuar në kërkimet dhe rezervimet për periudhën 21 qershor – 22 shtator 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, tregon gjithashtu se turistët po orientohen drejt destinacioneve që ofrojnë aktivitete në natyrë dhe përvoja autentike.

Ndër destinacionet e tjera që kanë shënuar rritje të interesit janë Novalja në Kroaci, Portimao në Portugali, Estepona në Spanjë dhe Cortina d’Ampezzo në Itali, të njohura për kombinimin e plazheve, peizazheve natyrore dhe aktiviteteve në natyrë.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se udhëtimet në grup po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.

Rezervimet e grupeve nga Britania e Madhe drejt destinacioneve evropiane janë rritur me 13 për qind krahasuar me një vit më parë, pasi turistët kërkojnë të ndajnë kostot dhe të kalojnë më shumë kohë me familjen dhe miqtë.

Rritja e interesit për Himarën konsiderohet një tjetër tregues i fuqizimit të imazhit turistik të Shqipërisë, në tregun ndërkombëtar, me Rivierën Shqiptare që po konsolidohet si një nga destinacionet më premtuese dhe më të kërkuara të Mesdheut për vitet në vijim.(Atila KOTA)///

error: