Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë, ku u mikprit përzemërsisht nga homologu i tij, ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë, Nikos Dendias.
Në fokus të kësaj vizite ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh Shqipëri–Greqi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjatë takimit, të dyja palët vlerësuan dinamikën konstruktive dhe shumë pozitive të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe interesin e përbashkët në forcimin e bashkëpunimit praktik në kuadër të NATO-s dhe në mbështetje të stabilitetit rajonal.
Ministri Nufi theksoi se, Greqia mbetet një mike dhe aleate e çmuar, ndërsa vlerësoi mbështetjen e palëkundur greke në rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Mbrojtja kibernetike dhe siguria kibernetike ishin pjesë e bashkëbisedimit mes dy ministrave, me fokus zgjerimin e bashkëpunimit në këto fusha. Në këtë kuadër, Nufi u shpreh se, “Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike përmes bashkëpunimit të ngushtë me Aleatët e NATO-s dhe partnerët strategjikë, dhe jemi të gatshëm të forcojmë angazhimin në fushën kibernetike, si në nivel dypalësh, ashtu edhe brenda kuadrit të strukturave të NATO-s”.
Nufi vlerësoi ndërveprimin e fuqishëm ndërmjet personelit ushtarak të dy vendeve përmes aktiviteteve të përbashkëta, edukimit ushtarak, programeve të trajnimit dhe shkëmbimit të ekspertizës, ndërsa temë tjetër e bashkëbisedimit mes dy ministrave ishte edhe thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit, koordinimit dhe ndihmës reciproke në përballimin e situatave të mundshme të emergjencave civile gjatë sezonit veror.
Përgjatë vizitës në Athinë dhe me ftesë të homologut Dendias, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi do të marrë pjesë në Konferencën e Mbrojtjes së Athinës (Athens Defence Conference 2026), organizuar nga Forumi Ekonomik i Delfit, dhe Fondacioni Helen për Evropën dhe Politikën e Jashtme (ELIAMEP). (Gjergji MIMA)///




ME SHUME LAJME
Gonxhja: Zero tolerancë ndaj zaptimit të hapësirave publike në plazhe
Sarandë. Të martën, më 30 qershor, mbledhja e Këshillit Bashkiak. Në fokus: edhe terminali i transportit publik
Paralajmërimi i Ministrit të Brendshëm për “të fortët” që parkojnë vend e pavend: S’ka rëndësi mbiemri, pozicioni apo makina që drejtoni