SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

A ka vërtet Edi Rama kontratë me 800 mijë shqiptarë?

Nga Thoma GËLLÇI

“Kam kontratë me 800 mijë shqiptarë, s’ka dorëheqje.” Kështu iu përgjigj kryeministri Edi Rama protestuesve që prej 57 ditësh kërkojnë largimin e tij nga detyra.
Por Edi Rama nuk ka lidhur ndonjë kontratë personale me 800 mijë shqiptarë. Nuk ka shkuar derë më derë, nuk ka marrë firma dhe nuk ka dalë në zgjedhje si kandidat i pavarur. Në Shqipëri, qytetarët votojnë partitë politike dhe kandidatët për deputetë. Kryeministri del nga shumica parlamentare që krijon partia fituese.

Mandati që ka sot Edi Rama është mandati i Partisë Socialiste. Ai ka kandiduar nën siglën e saj dhe ka përdorur strukturat, historinë dhe elektoratin e kësaj partie.
Nuk e di saktësisht sa vota personale ka marrë Edi Rama në zonën ku kandidoi, sepse ai u vendos i pari në listën e mbyllur të Tiranës, por dihet se kandidatë si Taulant Balla dhe Sara Mila kanë marrë më shumë vota se ai, nëse i krahasojmë votat e tyre me rezultatin që ai arriti në listë të hapur në dy zona zgjedhore në vitin 2021. Edhe Fatmir Xhafa dhe Blendi Gonxhe kanë marrë më tepër vota se ai. Kjo e bën edhe më të çuditshëm pretendimin se të gjitha votat e Partisë Socialiste qenkan një kontratë personale e kryeministrit.

Shqiptarët kanë votuar Partinë Socialiste. Është një fakt interesant se në protestat e 57 ditëve të fundit nuk janë dëgjuar thirrje kundër Partisë Socialiste si parti dhe as kundër Partisë Demokratike si organizatë. Thirrjet janë drejtuar kundër Edi Ramës dhe Sali Berishës. Kritika është për dy drejtuesit që prej vitesh i kanë lidhur partitë e tyre me emrat personalë dhe për mënyrën se si është qeverisur vendi, si merren vendimet, si zgjidhen deputetët, si vendoset për pronat e shqiptarëve dhe se si Parlamenti është vënë nën urdhrat e ekzekutivit.

Qëndrimi për shumë vite i të njëjtit drejtues në krye të qeverisë nuk është diçka e zakonshme në demokracitë parlamentare. Në vende të tjera, kryeministrat largohen, zëvendësohen dhe partitë vazhdojnë të qeverisin. Nuk shpërbëhet shteti dhe nuk mbyllen ambasadat.

Në Britaninë e Madhe, Partia Laburiste fitoi zgjedhjet dhe formoi qeverinë. Kur kryeministri dha dorëheqjen, nuk u zhvilluan zgjedhje të reja. Partia zgjodhi një kryeministër tjetër dhe vazhdoi mandatin. Votuesit kishin votuar Partinë Laburiste, jo një njeri të vetëm.

E njëjta gjë ka ndodhur me Partinë Konservatore. Që nga viti 2013, kur Edi Rama u bë kryeministër i Shqipërisë, konservatorët britanikë kanë ndërruar pesë kryeministra: David Cameron, Theresa May, Boris Johnson, Liz Truss dhe Rishi Sunak. Partia vazhdoi qeverisjen deri në zgjedhjet e radhës.

Në të njëjtën periudhë, Shtetet e Bashkuara kanë pasur tre presidentë. Italia ka pasur shtatë kryeministra, Rumania nëntë, Greqia pesë, Maqedonia e Veriut shtatë dhe Bullgaria mbi njëmbëdhjetë kryeministra. Shqipëria ka pasur vetëm një: Edi Ramën.

Në Partinë Socialiste, prej shumë vitesh nuk zhvillohen zgjedhje të brendshme me garë për kryetarin. Kandidatët për deputetë zgjidhen nga drejtuesi i partisë dhe jeta politike e PS-së është përqendruar pothuajse e gjitha te Edi Rama. Slogani “Me Edin” e thotë qartë. Nuk thuhet “Me programin socialist”, “Me Partinë Socialiste” apo “Me ekipin”. Thuhet thjesht “Me Edin”. Zhdukja e demokracisë së brendshme të partisë dhe lidhja e çdo gjëje me pushtetin e ka futur edhe partinë, edhe pushtetin, në një cikël të mbyllur.

Programi i partisë është zëvendësuar nga emri i kryetarit. Deputetët falënderojnë kryetarin që i ka vendosur në listë, ministrat e dinë se detyrën ia kanë atij dhe strukturat presin vendimet nga lart. Pas gjithë kësaj, nuk është e habitshme që edhe votat e partisë paraqiten si pronë personale e Edi Ramës.

Përsëritet gjithashtu ideja se pa Edi Ramën Shqipëria mbetet pa përfaqësues në Evropë. Me sa duket, Bashkimi Evropian paska nevojë për atletet e bardha të kryeministrit shqiptar që të zhvillojë normalisht një samit. Edhe ekspozitat e tij të pikturës duhet të jenë pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit.

Rumania dhe Bullgaria, që janë edhe anëtare të Bashkimit Evropian, kanë ndërruar shumë kryeministra dhe vazhdojnë të përfaqësohen në Evropë. Asnjë mbledhje nuk është anuluar sepse një kryeministër dha dorëheqjen dhe u zëvendësua nga një tjetër.

Në një sistem parlamentar, mandati i përket partisë dhe shumicës parlamentare. Kryeministri është drejtuesi i qeverisë, jo pronari i votave të partisë. Edhe 800 mijë votat që përmend Edi Rama nuk janë shkruar në emrin e tij.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe disa ndryshime të rëndësishme në Kodin Zgjedhor, që të garantohet një garë e drejtë dhe e barabartë. Dhe kjo kërkesë s’ka asgjë të përbashkët me kontratën e 800 mijë votave. E jep apo jo dorëheqjen Edi Rama përcaktohet nga ndërgjegjja e atij vetë, por edhe nga presioni publik dhe pamundësia për qeverisje. Percaktohet ne radhe te pare nga Partia Socialiste qe ne ditet e sotme paraqitet si nje parti nen diktat.

Socialistët duhet ta dinë se dorëheqja e një kryeministri nuk është ndonjë hata e madhe. Një kryeministër tjetër socialist mund ta vazhdonte mandatin pa asnjë problem kushtetues. Shqipëria do të vazhdonte të përfaqësohej në Evropë me dinjitet, samitet të zhvilloheshin në orar dhe Partia Socialiste mund të kujtohej se dikur kishte debat të brendshëm, program dhe më shumë se një emër.///

error: