SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Testi COVID-19. Radhë në Kakavijë e Kapshticë/ Policia në ndihmë qytetarëve

Në pikat e kalimit kufitar në Kakavijë dhe Kapshticë u krijuan radhë të gjata pritje të qytetarëve dhe automjeteve për të kaluar në Greqi.

Kryerja e testit COVID-19 dhe orari i kufizuar nga pala greke në pikën kufitare në Kakavijë dhe Kapshticë u bënë shkak për kalimin me vonesë të qytetarëve.

Në Kakavijë autoritetet shqiptare raportuan se shkak i fluksit të qytetarëve u bë pas një problemi me tamponët që ka pasur pala greke. Edhe në Kapshticë u paraqit e njëjta situatë.

Më herët, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme por edhe autoritete greke paralajmëruan për kufizim të orarit të kalimit në pikat kufitare në drejtim të Greqisë

Hyrjet në shtetin grek nëpërmjet pikave të kalimit në kufirin Kakavijë dhe Kapshticë  janë të mbyllura nga pala greke për udhëtarët dhe automjetet si në hyrje edhe në dalje të Greqisë gjatë fashës së orarit 22:00-06:00, orar ky që ndikoi edhe në krijimin e fluksit të udhëtarëve dhe automjeteve në dy pikat kufitare.

Një tjetër shkak që ka nxituar qytetarët që të kalojnë pikat kufitare duke krijuar radhë të gjata ditën e sotme është edhe vendimi i autoriteteve greke për karantinim për shtatë ditë të çdo personi që hyn në Greqi pas datës 16 gusht.

Ndërkaq Policia e Shtetit u ka ardhur  në ndihmë qytetarëve, të cilët për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, po qëndrojnë në radhë me orë të gjata pritjeje për të kaluar në shtetin grek.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, Forcat Shqiponja dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, gjatë paradites dhe mesditës së sotme kanë shpërndarë dhe vijojnë të shpërndajnë qindra shishe me ujë për drejtuesit e mjeteve, familjarët dhe të afërmit që udhëtojnë me ta, si dhe për pasagjerët e autobusëve që janë në pritje për të udhëtuar në drejtim të shtetit grek.

Gjithashtu, për të normalizuar qarkullimin, për të respektuar radhën dhe për të mos krijuar konfuzion janë aktivizuar edhe grupe të FNSH-së dhe të Delta Forcë në mbështetje të punonjësve të Policisë Rrugore.

Ndërkohë, nga ana e drejtuesve të Departamentit të Policisë Kufitare dhe drejtuesve të Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë janë marrë e po merren takime të shpeshta me qëllim ndikimin nga ana e Policisë greke të autoriteteve shëndetësore greke për të shtuar personelin me qëllim që të kryhen në kohë më të shpejtë tamponët për COVID-19.

Shërbimet e Policisë janë shtrirë përgjatë aksit rrugor Jorgucat-Kakavijë, duke i ardhur në ndihmë çdo qytetari në nevojë.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të mos dynden drejt Kakavijës, pasi në ditët e ardhshme pala greke do të kufizojë akoma më shumë lëvizjet drejt shtetit grek.

Gjithashtu Policia sqaron se për situatën e krijuar pas ndërhyrjeve të njëpasnjëshme të Drejtorit të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin tek homologët e policisë greke, këta të fundit kanë ndikuar në autoritetet shëndetësore greke dhe tashmë ka filluar të rritet lëvizja në drejtim të shtetit grek, pasi është shtuar personeli shëndetësor që kryen testet për COVID-19. ///ata///

error: