Pas vendimit të autoriteteve greke për të kërkuar vetëizolim 7 ditor dhe certifikatë të testit negativ për të gjithë shtetasit që kalojnë nga Shqipëria në Greqi duke nisur nga data 17 gusht, gjatë dy ditëve të fundit ka patur një fluks të shtuar qytetarësh në pikat e kalimit kufitar.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme është vënë në kontakt të menjëhershëm me palën greke dhe fillimisht u bë i mundur shtimi i testimeve të kryera në pikat kufitare prej 200 testimesh në orë, ndërsa në këto momente është arritur të realizohen 330 testime në orë.
“Testimi vazhdon pa ndërprerje, për të gjithë qytetarët që kërkojnë të kalojnë nga Shqipëria në Greqi. Ndërkohë, nga autoritetet greke na është premtuar shtimi i mëtejshëm i kapaciteteve testuese në orët në vijim. Po ashtu, jemi në bisedime për të zgjatur orarin e punës në pikat kufitare, në mënyrë që qytetarët të mund të kalojnë edhe në orë e vona të natës”, deklaron MEPJ.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes kanë vendosur në dispozicion të qytetarëve të bllokuar në radhë disa ekipe mjekësore dhe autoambulanca, si dhe shërbime higjenosanitare.
MEPJ thekson se “vazhdojmë të jemi në kontakt të vazhdueshëm me palën greke dhe shpresojmë që situata të shkojë drejt një zgjidhje sa më të shpejtë”./atsh///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit