Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku garantoi sot qytetarët se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike dhe energjia elektrike do të paguhet me të njëjtin çmim që paguhet edhe sot nga konsumatorët familjarë dhe biznesi i vogël.
“Më shumë se 200 mijë familje janë të subvencionuara nga shteti dhe do vazhdojnë me të njëjtin çmim pavarësisht të gjithë vështirësive që po hasim për shkak të krizës globale””, tha Balluku në një intervistë televizive.
Balluku u shpreh se, “ndoshta do të kemi më shumë se një dimër të vështirë, pasi të gjithë ekspertët e thonë se është një krizë globale dhe këtë duhet ta themi. Pra nuk është një problematikë që ka të bëjë me rajonin apo Shqipërinë. Të gjithë ekspertët parashikojnë që kjo do të jetë një krizë që do të zgjasë edhe pas qershorit të vitit 2022. Megjithatë rëndësi ka që ne i kemi marrë të gjitha masat”.
E pyetur se çfarë kuptohet me një dimër të vështirë, Balluku tha se, “duhet pasur parasysh se kush janë faktorët që kanë sjellë këtë mungesë energjie. Këtu nuk bëhet fjalë për çmimin e energjisë, këtu bëhet fjalë për sasinë e energjisë, e cila duhet të mbulojë nevojat e tregut”.
“I gjithë problemi ka ardhur për shkak të mungesës së energjisë në treg duke qenë se i gjithë zinxhiri i prodhimit tani postpandemik ka një shpërthim shumë të madh, ka një kërkesë shumë të madhe të tregut. Sot kemi kërkesë më të madhe nga ajo që kemi pasur në 2019 në nivel global. Kjo kërkesë vjen se tashmë tregu po kërkon jo vetëm të kthehet në nivelet e mëparshme, pra zinxhiri i prodhimit, por të kthehet në një nivel më lart duke kërkuar që të mbulojë të gjitha mungesat që janë krijuar gjatë këtij 2-vjeçari”, theksoi Balluku.
E pyetur nëse ishte Shqipëria e përgatitur për këtë situatë, Balluku tha se, “nuk ka pasur asnjë pritshmëri dhe asnjë parashikim në asnjë vend të botës që do të kishte një rritje të prodhimit në këtë lloj ekspansioni dhe do të kishte një kërkesë të tillë. Asnjë shtet nuk ka qenë i përgatitur”.
“Gjatë muajit gusht kanë filluar që të vendosen në një linjë disa faktorë. Pra, jo vetëm kërkesa më e lartë, por kemi pasur një problematikë që ka filluar të duket që në fillim të vitit 2021. E gjithë politika e dekarbonizimit e bërë si në Amerikë dhe në Evropë, ka filluar të japë impaktin e parë, pasi disa nga termocentralet kryesore që mbanin peshën kryesore në Evropë dhe në Britani dhe Amerikë janë mbyllur prej kësaj politike. Pastaj edhe disa faktorë të tjerë si ndryshimet klimaterike. Shpejtësia e erës është ulur me 50%. Kështu që Britania e Madhe që kishte mbyllur disa nga termocentralet e saj është detyruar t’i rihapë sepse ato termocentrale ishin mitiguar me mullinjtë e erës, të vendosur në det. Kemi një vit që ka disa faktorë që janë bërë bashkë për të krijuar këtë situatë”, u shpreh Balluku.
Balluku theksoi se, “ky dimër nuk do të jetë i errët për Shqipërinë. Kjo është ajo ç’ka ne po menaxhojmë sot. Nuk ka shanse që Shqipëria të kthehet në orët e mungesës së energjisë elektrike. Synimi ynë dhe ne deri tani e kemi përmbushur dhe detyra që ne kemi është që të ofrojmë 24 orë energji elektrike për të gjithë territorin e Shqipërisë. Sot po marrim të gjitha masat që të gjejmë sasitë e duhura të energjisë elektrike”.
“Ne po marrim të gjitha masat për të pasur edhe negociim të drejtpërdrejtë, pa kaluar në procedura që ngrenë çmimin, zgjasin kohën dhe na vënë në një pozitë jo shumë të favorshme, sa i përket pagesave. Sot po sigurojmë sasitë e energjisë elektrike që na duhen”, tha Balluku.
“Duke nisur nga dita e hënë ne do të kalojmë në qeveri një VKM me të gjitha hapat sesi do të menaxhohet i gjithë sistemi energjetik shqiptar, duke futur këtu edhe pjesën e importit. Pas daljes së VKM-së për energjinë, e cila ka krijuar një shtab, bord për menaxhimin e situatës, tashmë jemi të gjithë në një linjë menaxhimi. Po ulemi në një tryezë për të marrë vendime të përbashkëta që mitigojnë krizën. Kjo do të na bëjë padyshim që të gjithë hapat që do hidhen të jenë dhe transparentë dhe të kemi shpejtësi në vendimmarrje”, theksoi Balluku.
Ajo u shpreh se ka dy paketa për energjinë nga qeveria. “Janë deklaruar dy paketa. Paketa e parë është ajo që do të përdorim deri më 31 dhjetor për blerjen e energjisë dhe është një paketë që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion për krizën energjetike prej 100 milionë euro. Ndërkohë është parashikuar një paketë e dytë, e cila nis nga janari deri në fillim të pranverës me 100 milionë euro të tjera”, tha Balluku.
“Në të gjitha rastet duhet të kemi parasysh që këto janë paketa për të siguruar pavarësinë energjetike. Pra në këto momente kur sasia energjetike është bërë e vështirë për t’u gjetur. Por ne presim dhe rritje të niveleve të kaskadës”, tha Balluku.
Ajo shtoi se, “të gjithë abonentët e 04-ës, që i quajmë, pra abonentët familjarë dhe biznesit të vogël, do të jenë të mbrojtur përmes kësaj pakete. Pra i gjithë synimi është që prodhimi që do të vijë nga KESH, nga kaskada të shkojë për mbulim të nevojave të tregut të brendshëm me këto 2 grupe të tregut, familjarët dhe bizneset e vogla”.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade