SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Basha: Kush shkel vijën e kuqe, përjashtohet nga PD sipas statusit

Kryetari i PD-së Lulzim Basha  ka deklaruar sot se cilido që kalon vijën e kuqe do ndëshkohet me përjashtim nga partia siç e përcakton statusi i PD-së.

Në një intervistë televizive Basha, paralajmëron se ata që shkelin vijën e kuqe do përjashtohen nga Partia Demokratike.

“Unë e kam thënë në ditën time të parë si kryetar i PD-së dhe dua ta përsëris: Nuk kam përjashtuar dhe nuk përjashtoj askënd nga PD-ja, nuk mbaj askënd me zor në PD, por një gjë të jetë e qartë si drita e diellit, statuti që na bashkon, që na mban bashkë, do të zbatohet. Vijat e kuqe nuk i përcakton kryetari i PD-së, i përcakton Statuti i PD-së dhe çdo akt, veprim apo qëndrim që bie ndesh interesave elektorale dhe politike të PD-së, që shkel mbi sakrificën e demokratëve për interesat personale të çdokujt, pa diskutim dhe pa më të voglin hezitim, do të marrë përgjigjen që përcakton statuti”, shprehet Basha.

Duke folur për Kuvendin e 18 dhjetorit Basha shprehet se, “më 18 dhjetor PD-ja ka Kuvendin e saj Kombëtar, një kuvend i cili thirret në një rrethanë të imponuar nga zoti Berisha, i cili pasi u shpall “non grata” nga SHBA-ja, u angazhua para demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, se nuk do ta përfshinte PD-në në një betejë personale dhe ligjore me qeverinë e SHBA-së”.

Në lidhje me pyetjen, se Berisha sot e ka konsideruar 18 dhjetorin si një antimiting i 11 dhjetorit, Basha u shpreh se  “nuk kam ndër mend të komentoj zotin Berisha, siç nuk kam bërë gjithë këto kohë sepse e konsideroj jo vetëm një gjë të padobishme, por edhe të dëmshme. Këta dy muaj kam provuar se zoti Berisha ka dy interesa: të përdorë PD-në për t’u mbrojtur nga vendimi “non grata” i SHBA-së dhe, në funksion të kësaj, të përçajë PD-në duke shkelur kështu zotimin që ka dhënë se nuk do ta përdorte PD-në dhe grupin parlamentar të PD-së në betejën që nuk e ka as me mua, as me ndonjë demokrat tjetër, por e ka me SHBA-në”.

Në lidhje me pyetjen se çfarë është 11 dhjetori, Basha tha se është dita e themelimit të PD-së, në të cilën PD-ja do të organizojë si përherë, ditën e saj për të bashkuar.

“Asnjëherë PD-ja nuk ka zhgënjyer dhe nuk ka lënë në harresë ditën e themelimit të saj, që përkon jo më kot me triptikun e rrëzimit të diktaturës, pra të një regjimi njëpartiak, të shpalljes së pluralizmit dhe të lindjes së PD-së. Janë të pandara nga njëra-tjetra. Do të jenë të pandara këtë vit dhe çdo vit, por nuk do të jenë në funksion as të agjendës sime personale, aq më pak të agjendës personale apo interesave personale për t’u përdorur si mburojë kundër aleatit tonë strategjik, SHBA-së”, tha ai.

Në lidhje me takimet e Berishës në Bazë, Basha shprehet se “së pari, vendimi është shpjeguar në mënyrën më shteruese ditën që është marrë dhe është shpjeguar në bazë nga deputetë, nga kryetarë të strukturave dhe është kuptuar fare qartë. Së dyti, të mos harrojmë, qëllimi i PD-së nuk është që t’u shërbejë interesave të një personi. PD-ja në këta dy muaj nuk mund të mungonte në betejën e vërtetë që është me regjimin e Edi Ramës. Dhe në këtë betejë ne nuk kemi munguar asnjë ditë. Nuk kemi munguar në ato zotime që kemi marrë për ta kthyer parlamentin dhe praninë tonë në parlament në një betejë permanente për rikthimin e demokracisë dhe zhbërjen e masakrës zgjedhore të 25 prillit dhe ju e keni parë këtë. Kemi çuar tre amendamente kushtetuese, kemi kërkuar nisjen e tre komisioneve hetimore, dy prej të cilëve kanë nisur tashmë. Kemi ndjekur përditshmërinë e shqiptarëve duke propozuar uljen e TVSH-së dhe kemi bërë një betejë të përditshme dhe do të vazhdojmë një betejë të përditshme ndaj një regjimi, i cili është kthyer në një hall, në një makth të përditshëm të shqiptarëve. Këtij aksioni politik, në vend që ta ndihmonte me aktet për të cilat ishte zotuar, hedhjen një hap prapa dhe trajtimin siç do ta trajtonte çdokush, siç do ta trajtoja edhe unë problemin e shpalljes “non grata”, Sali Berisha i është përgjigjur duke mobilizuar energjitë e tij në një betejë jo kundër kundërshtarit tonë politik, por kundër PD-së dhe për këtë arsye e kam cilësuar një tub oksigjeni për regjimin sepse ndërkohë që ne jemi përballë Edi Ramës, në mënyrë të përditshme dhe me një aksion të strukturuar politik, zoti Berisha të vetmin kontribut që po jep është shfokusimi i këtyre energjive, shpërqendrimi nga beteja me Edi Ramën dhe fatkeqësisht, së fundi, siç e kemi parë, shpalosjen nën flamurin e lëvizjes së tij të të njëjta figurave të krimit të organizuar që demokratët i kishin përballë në zgjedhjet e 25 prillit”.

Në lidhje me deklaratën se ka element të përfshirë në “foltore”, Basha tha ase “Berisha njihet që me protagonizmin e tij, është marrë me figura që askush ndoshta s’i kishte dëgjuar para se të denoncoheshin nga ai. Dhe shumë prej këtyre denoncimeve edhe kanë qëndruar. Jo të gjitha, por një pjesë kanë qëndruar. Si mund të mos merret ai, me atë që e di i gjithë Elbasani, që Aqif Rakipi, i larguar nga parlamenti për shkak të Ligjit të dekriminalizimit, po punon ethshëm për të kërcënuar e shantazhuar demokratët e Elbasanit?”

“Pa diskutim! Sekretari i përgjithshëm i ka bërë publike të gjitha ato që PD-ja ka konstatuar dhe ka njoftuar po kështu edhe faktin që gjithçka është e dokumentuar dhe e verifikueshme. Pra, që të kthehemi te pyetja, bëhet fjalë për një figurë kryesore të krimit të organizuar që është përjashtuar nga parlamenti për shkak të dekriminalizimit; për Suel Çelën, që u kthye në një personazh të krimit në zgjedhjet e 25 prillit; për Rrahman Rrajën në Fushë-Krujë; për Tom Doshin. Bëhet fjalë për figura të krimit të organizuar që më 25 prill kanë qenë në krah të Edi Ramës më keq se kaq. Janë pjesë e masakrës zgjedhore. Kanë dhunuar demokratët edhe fizikisht. Ç’i lidh ata me lëvizjen e Sali Berishës? Kësaj pyetjeje, Sali Berisha ka më shumë se 10 ditë që nuk i jep përgjigje dhe nuk mund të fshihet as pas metaforave dhe as pas pllakatave që shpalos në faqen e tij zyrtare apo në foltore. Fakti është që këta njerëz, që ne i kishim përballë dhe kundër dhe janë bashkautorë të masakrës zgjedhore të 25 prillit, sot papritur kanë interes që të mbështesin zoti Berisha. Dhe ky është një problem shumë i madh, i cili, për ta thënë me fjalë të buta, dëmton rëndë besueshmërinë dhe legjitimitetin e gjithçkaje tjetër që Sali Berisha pretendon në raport me këtë lëvizje”, tha ai.

A rrezikon Kuvendi i 18 dhjetorit ndarjen e PD-së, Basha tha se “nuk rrezikon aspak sepse PD-ja ka qenë bashkë në Ligjin për Dekriminalizimin, PD-ja është bashkë”.///

error: