Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se PD ka paraqitur një plan për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe kriza e energjisë.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së grupit parlamentar, Basha tha se “të enjten do të zhvillohet seanca plenare e javës, jo vetëm rendi i ditës, por dhe gjendja që ka pllakosur në vend, janë tregues i qartë se kemi të bëjmë jo me një krizë energjetike, por me një krizë korrupsioni. Një krizë korrupsioni e cila ka nisur me vendimin që në verë të zbrazej kaskada e Drinit dhe të shitej me 1/3 e çmimit që do të blihet tani, energjia, pasuria hidrike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Pra e kanë shitur 60, 70 milionë euro, e do ta blejnë 200, 220 milionë euro. Që ta blejnë do t’u duhet të marrin borxh. Borxhin do ta nxjerrin nga xhepat e shqiptarëve. Kjo është arsyeja se pse nuk është krizë energjetike, po është krizë korrupsioni”.
“Në një vend normal, me institucione normale, sot nga i pari i sektorit, përgjegjës politikisht, tek drejtuesit famëkeq nga Çela i Durrësit e të tjerët duhet të ishin të paktën të pandehur. Por, ndërkohë që presim që institucionet e drejtësisë mos të zdërhallen tapeteve të kuq të vanitetit fundjavorë në Tiranë dhe të bëjnë detyrat e tyre para shqiptarëve dhe të taksave që u vidhen shqiptarëve, ne nuk mund të rrimë duarkryq. Ndaj, për ne kjo javë do të vazhdojë siç ka nisur. Me një ofensivë që do të ketë në qendër interesin bazik të familjeve shqiptare, sepse kjo krizë korrupsioni që po maskohet gjoja si krizë energjie, po përkthehet në rritje të tmerrshme të çmimeve të gjithanshme”, u shpreh Basha.
“Unë ju ftoj ju si media, si qytetarë, por edhe si kryetar i opozitës, t’i drejtoni kamerat dhe mikrofonat tuaj tek qytetarët në rrugë apo tek dyqanet. Tek dyqanet kamerat tuaja do të fiksojnë një numër të jashtëzakonshëm njerëzish që blejnë me listë si asnjëherë më parë në 30 vite. Nuk dua të them që ky problem lindi sot, por po ju them që sot është më i keq dhe më rëndë se kurrë. Do të shikoni një familjar që blen gjysmë buke, dy karota, dy qepë. Do të vëreni po kështu që në veçanti pas tellallit të keqes, Edi Ramës që doli dhe njoftoi rritjen e çmimeve, çmimet në fakt kanë kapërcyer, jo thjesht në energji, por në gjithçka. Sepse siç kemi thënë më parë, energjia lidhet edhe me bukën, edhe me vajin, edhe me sheqerin, edhe me miellin, edhe me orizin, edhe me mishin, edhe me fasulen, por dhe me shërbimet. E pra, të pretendosh se ka diçka më të rëndësishme sot, se kjo është papërgjegjshmëri dhe të mos bësh gjithçka që ke në dorë jo thjeshtë për ta denoncuar, për tu bërë zëri i këtyre njerëzve që ndoshta hallet dhe fukarallëku ju kanë hequr dhe zërin, në kuptimin figurativ dhe letrar të fjalës, por po kështu për të treguar me forcë që ky problem i shkaktuar nga korrupsion i Edi Ramës dhe babëzia e këtij regjimi nuk zgjidhet as me fjalime, as me propagandë, as me pseudo paketa të cilat përpiqen të fshehin vjedhjen”, vijoi ai.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit