Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha komentoi sot projektligjin e depozituar në Kuvend për vetingun e politikanëve, luftën që SPAK po bën ndaj korrupsionit dhe marrëveshjen për emigrantët.
Kryetari i PD u shpreh se, vetingu i politikanëve është mundësi për të pastruar politikën dhe për të dëshmuar kush janë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin dhe kush jo. “Projektligji është për vetingun e politikanëve, pra ajo që ka ndodhur prej vitesh me gjyqtarët dhe me prokurorët, me punonjësit e policisë dhe me punonjësit e gardës, tani do t’i nënshtrohen dhe politikanët. Do të thotë kontroll i përvitshëm i pasurisë së politikanëve, familjeve dhe rrethit të tyre shoqëror, me parimin ndiq paranë. Pra, për të konfirmuar që pasuria është e justifikueshme dhe e ligjshme, do të bëhet kontrolli i plotë dhe i detajuar i 140 deputetëve, 61 kryetarëve të bashkive, anëtarëve të qeverisë të zgjedhur me mandat kushtetues dhe një sërë drejtorësh të rëndësishëm të shtetit”, tha Basha.
Ai sqaroi se aspekti i dytë i projektligjit për vetingun e politikanëve, ka të bëjë me kontrollin e lidhjeve të papërshtatshme siç e quan kontrollin e gjyqtarëve apo të prokurorëve ose më mirë të themi lidhjeve me krimin e organizuar.
“Dhe për këtë, çdo politikan, çdo vit, duhet të vetë deklarojë që nuk ka kontakte të papërshtatshme me botën e krimit. Kjo deklaratë pastaj kontrollohet nga autoriteti për luftën kundër korrupsionit, që është ILDKP e reformuar, që do bëjë edhe kontrollin e pasurisë, edhe kontrollin e pastërtisë së figurës. Për këtë të dytën, merret informacion nga shërbimet inteligjente, nga Policia e Shtetit, nga SPAK dhe nga BKH-ja”, tha ai.
Duke u ndalur tek lufta kundër krimit të organizuat dhe korrupsionit, Basha tha se ai dhe PD i japin mbështetje të plotë SPAK. “Kush ka abuzuar me paratë dhe besimin e qytetarëve duhet të japë llogari”, theksoi Basha.
“Mbështetja pa kushte për punën e SPAK-ut, është mbështetje për pastrimin e politikës nga korrupsioni dhe luftën kundër krimit të organizuar”, nënvizoi ai. Sa i përket marrëveshjes për emigrantët, Basha tha se, duhet transparencë urgjente.
“Sot Partia Demokratike ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë me zotin Rama, për të shpjeguar para shqiptarëve këtë rrufe në qiell të hapur. S’ka pasur asnjë indikacion që tregon se Shqipëria përmes qeverisë së saj, ishte e gatshme të merrte refugjatë të paligjshëm në territorin e vet. Interpelanca ka për qëllim të ofrojë transparencë: Çfarë po bëhet? Me çfarë kushtesh po kërkohet të merren këto njerëz? Çfarë kushtesh ofron Shqipëria? Pse po bëhet kjo?”, tha Basha. Kreu i PD-së theksoi se “nuk do të mjaftohemi vetëm me interpelanca, ndërkohë që do marrim informacionin e nevojshëm, do të përgatisim që këtë çështje ta dërgojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Askush nuk mund të marrë vendime të tilla, pa u konsultuar me shqiptarët, qoftë përmes institucioneve, por pse jo, edhe përmes referendumeve”.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade
Rregullat për plazhet. Zbardhet kontrata e re, gjoba deri në 400 mijë lekë dhe rastet kur prishet kontrata