Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha organizoi këtë pasdite një tryezë diskutimi me avokatët për të biseduar mbi problematikat e sistemit të drejtësisë dhe hartën e re gjyqësore.Berisha tha se, harta e re gjyqësore është në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese, ligjin për organizimin e drejtësisë dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.“Kapaku që i vihet arkivolit në të cilin e mbylli reforma e drejtësisë, sistemin e drejtësisë në Shqipëri”, tha Berisha.

Më tej kreu i PD tha se, asnjë pushtues nuk ka guxuar t’i shkatërrojë një vendi tjetër sistemin e drejtësisë siç e shkatërroi George Soros.
“Asnjë vend, asnjë komb, asnjë pushtues nuk ka guxuar t’i shkatërrojë një vendi tjetër, një kombi sistemin e drejtësisë siç e shkatërroi reforma e George Soros, drejtësinë në Shqipëri”, deklaroi Berisha.
Berisha akuzoi kreun e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi se shfrytëzon sistemin e drejtësisë për interesa të Edi Ramës.

Mbi 80% e të gjitha çështjeve që janë në Gjykatën e Lartë, mes biznesit dhe shtetit, tha Berisha, i fiton shteti, me kryegjykatës Sokol Sadushin.
“Do ju lexoj ju vetëm një moment, çfarë ndodh sot në drejtësinë shqiptare. Drejtësia shqiptare ka një satrap dhe ky satrap quhet Sokol Sadushi. Ju mund të thoni pse e quaj unë të tillë? Në Gjykatën e Lartë, asnjë çështje nuk del për shqyrtim pa vendosur Sadushi dhe këshilltari i tij. Së dyti, të gjitha çështjet me shtetin, administrative, i shqyrton kolegji administrativ që kryesohet po nga Sadushi. Së treti, të gjitha çështjet e doganave, të tatimeve, të naftës, kanë kryer të trupit gjykues po Sadushin e partisë. Së katërti, 95% e çështjeve të Kolegjit Administrativ, të Kolegjit të Sadushit, bëhen në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve dhe vetëm 5% bëhen me praninë e palëve. Ky është gjykimi më jo transparent që mund të ndodhë. Mbi 80% e të gjitha çështjeve palë që është biznesi me qeverinë i fiton shteti në Gjykatën e Lartë ku kryegjykatës është Sadushi”, u shpreh Berisha.
Berisha u shpreh se, harta e re e drejtësisë është pjesë integrale e platformës për të mundësuar spastrimin etnik të këtij vendi.
“Harta e drejtësisë ka një synim tjetër. Është pjesë integrale e platformës së spastrimit etnik të këtij vendi. Ju jeni njerëz të cilët lexoni. Avokati është gjithmonë më i lidhuri me problematikat e qytetarëve. Në doktrinat e shpopullimit dhe spastrimit etnik nuk është e para ekzekutimi masiv, jo, mërzitja masive, intimidimi masiv, shkatërrimi i shërbimeve. Këto janë parimet e para mbi të cilat bazohet doktrina e Çubrilloviç dhe çubrilloviçëve kudo që janë ndaj popullatave civile”, tha Berisha.
“Një familje në Vermosh apo Konispol, sa rrinë dhe sillen hoteleve të Tiranës për një gjykim, e i duhet të shesë lopët e gjithçka ka, më mirë thotë po shkoj në Mal të Zi dhe s’po jetoj në Shqipëri. Kjo ndodh dhe është absolutisht mekanizëm i saktë, i qartë, i mërzitjes, i spastrimit etnik të qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe duke shprehur vlerësimin tim më të madh për reagimin tuaj, ju garantoj për mbështetje të plotë të Partisë Demokratike dhe ju ftoj të vazhdoni këtë betejë gjer në rikthimin dhe rivendosjen e parimeve të shëndosha në këtë sistem, tashmë një shtyllë vertebrore e shtetit shqiptar, e prerë në mes dhe që nuk funksionon”, tha Berisha.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit