Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha ishte sot në Pogradec për të paraqitur kandidatin për zgjedhjet e 14 majit, dalë nga primaret e PD-së. “Këtu në Pogradec, dje isha në Korçë, dhe kudo që shkoj ndiej një kënaqësi të veçantë, sa asnjë nga kandidatët që unë paraqes nuk janë kandidatë të kryetarit, apo kryesisë së partisë. Janë kandidatë të votës, vullnetit tuaj. Janë kandidatë të lirisë”, u shpreh Berisha.
“Në vjeshtën e vitit 2021 në Pogradec, në Korçë, në mbarë Shqipërinë kishte një kërkesë legjitime: të caktojmë ne vetë kandidatët, dhe kjo ishte një kërkesë e drejtë e cila u mor krejtësisht parasysh. Me votën tuaj dhe të simpatizantëve tanë, sot garojnë në 61 bashki të vendit kandidatët e lirisë karshi kandidatëve të bodrumeve, shpellave dhe dosjeve të fshehta”, u shpreh ai.
“Zgjedhjet e vërteta është që janë lokale. Janë për ju, për hallet e dertet tuaja, të rrugicave, të blloqeve, të infrastrukturës suaj. Ju garantoj që, Zini Tollozhina do bëjë çdo përpjekje që ato që ardhura t’ua kthejë ju në mirësi, në shërbime, në infrastrukturë. Por, këto zgjedhje janë më shumë sesa lokale. Këto zgjedhje janë një mesazh që qytetarët e Shqipërisë dhe Pogradecit duhet të japin, se nuk mund të pranojmë më kurrë një organizatë kriminale që kërkon të zhdukë opozitën nga vendi”, u shpreh Berisha.
“Zgjedhjet e 14 majit, janë zgjedhje për ndryshimin. Ne sot jemi njerëzit më të vjedhur dhe më të varfër në Europë. Ne kemi patur udhëtim të vështirë. Pasuritë e Shqipërisë këtu kanë qenë përrallore, të cilat ky regjim i shndërroi në mallkim për shqiptarët, në pasuri për vete dhe oligarkët e tij”, tha ai.
“Atëherë, do vazhdojmë të mbetemi ne qytetarët më pak paguar të Ballkanit dhe Europës? Në një kohë kur në vitin 2013 shqiptarët arritën të kenë rrogat më të larta në të gjithë rajonin, përfshi Bullgarinë dhe Rumaninë. Sot ku jemi? Sot jemi me rroga 30-40% më të ulëta se Kosova”, u shpreh Berisha.
“Në vitin 2005-2013 ne gjetëm borxhin 58.2%. Në 8 vite e rritëm 4.4% dhe 62.6%. me këto para borxh që morëm, të ardhurat që mblidhnim arritëm të dyfishojmë rrogat dhe pensionet. Po, pse? Po ishte qëllim. Dhe ju garantoj, se në qoftë se në vitin 2005 Shqipëria nuk do kishte gjithësej vetëm 2400 km rrugë të asfaltuara, rrogat edhe do të trefishoheshin. U detyruam të ndërtojmë rrugë, se pa rrugë nuk ka zhvillim”, tha ai.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade