Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, se PD mbështet plotësisht investimet e huaja në vend, duke u ndalur veçanërisht tek investimi në Zvërnec.
Berisha theksoi se çështja e Zvërnecit është bërë, sipas tij, një debat me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa paraqiti qëndrimin e opozitës për këtë çështje.
“Prej disa ditësh është shndërruar në çështje kombëtare dhe ndërkombëtare problemi i Zvërnecit. Kërkoj nga ju mirëkuptimin të kthehemi dy apo tre vite më parë kur është dhënë lajmi, që kompania “Affinity” e dhëndrit të ish-presidentit amerikan Trump në atë kohë, se nuk ishte në pushtet, ka treguar interes të veçantë dhe do të investojë në Sazan dhe Zvërnec, në atë kohë u tha 2 miliardë a diçka e kësaj natyre. Reagimi im ndaj këtij lajmi ka qenë ky: Pavarësisht se ai ishte në opozitë, plotësisht dakord. Pse? Që të jemi të hapur me ju. Kam thënë vetëm një fjalë, sepse i ka paratë”, deklaroi ai.
Berisha shtoi se, sipas tij, qëndrimi mbështetës ka ardhur nga vlerësimi për kapacitetin financiar të investitorëve.
“Sepse thuhej që Fondi Saudit i investimeve janë fondet publike të investimeve, është fond trilioner. Ai ka triliona dhe natyrisht paratë ishin. Unë, arsyeja bazë pse kam thënë po, ka qenë kjo dhe e kam lidhur me paratë”, tha ai.
“Me këtë unë absolutisht nuk kisha asnjë dyshim se Edi Rama po blinte influenca politike. Nuk dyshoja fare në këtë. Por përsëri për mua interesi kombëtar dilte mbi këtë”, tha ai.
Duke iu referuar zhvillimeve të mëparshme, Berisha pretendoi se disa projekte të tjera investimi janë penguar.
“Investimi pasi ishte përzënë kompania “Omnix”, për të cilën ndjeja këtë keqardhjen më të madhe, që kishte të përgatitur 1,5 miliardë euro investime në Gjirin e Lalëzit dhe e përzuri, e kam marrë vesh mbrapa, mafia shqiptare”, tha Berisha.
Në vijim, kreu i PD-së u ndal te projekti në Sazan, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një investim të thjeshtë.
“Për sa i përket ishullit, ata që qajnë elitarët e Sazanit, ata janë një grup hipokritësh, për të cilët le të derdhin lot krokodili sa të duan, se Sazani në mënyrë absolute, se jam marrë vetë direkt, edhe paraardhësi im është marrë, Fatos Nano, ua kemi ofruar investitorëve dhe nuk është një investim i thjeshtë. Asgjë nuk prishet aty”, tha ai.
Duke krahasuar dy zonat, Berisha u shpreh se Zvërneci është tokë private dhe e banueshme, ndërsa përsëriti qëndrimin e tij pro investimeve të huaja.
“Sazani është tokë publike. Zvërneci është tokë private në tërësinë e saj. Është e banueshme, kanë banuar. Dakord. Pra, ne mbështesim investimin e huaj”, theksoi Berisha.
Kreu i PD-së vuri në dukje se “ky zotëria në këtë proces që duhet të ishte një zhvillim, ta quajmë festiv për shqiptarët, që investoheshin dy miliardë apo tre miliardë sa thotë tani, ky e ka shtruar këtë në procesin më të mbyllur. Pavarësisht se si e ndryshon ti ligjin, aty është peizazh i mbrojtur”.
Sipas tij, qeveria duhet të ulet “me mjedisorët dhe do u japësh garanci. Do t’u thuash që ju nuk jeni që të ndërtohet fare, ne do ndërtojmë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Kjo zonë e bën Shqipërinë të famshme në botë. Absolutisht e bën. Jua them unë, se është një zonë fantazi natyrore. Është një mrekulli, mrekulli. Po e bën të famshme me kusht që mos ta shëmtosh, mos ta shkatërrosh, me kusht që ta zhvillosh në përputhje me të gjitha kushtet”.
Sa i përket çështjes së pronësisë, kreu i PD-së tha se “dy burime më thonë, që në qoftë se merr pretendimet e njerëzve për pronësi në atë zonë, t’i marrësh të gjitha në sipërfaqe bëhen nja 28 mijë kilometra katrorë. Aty s’ka njeri që i zgjidh çështjet e pronësisë sepse kanë ndryshuar 17 drejtorë kadastre në Vlorë”.
“Atëherë, aty duhet të jetë shteti që duhet të garantojë. Nuk i thuhet fare siç thotë ai që ‘unë jua ktheva këtë projekt’. Qeveria ka detyrim. Kur vendos, të thotë ‘ndërtimet në këtë zonë, peizazh natyror, do bëhen në përshtatje të plotë me peizazhin’”, u shpreh Berisha. (Gjergji MIMA)///
ME SHUME LAJME
Tiranë, qytetarët në ditën e katërt të protestës kundër projektit në Zvërnec
MEMORIE. Sot kujtojmë Prof. Moikom Zeqon, intektualin e rrallë.
Media italiane “TgYou24”: Mes plazheve dhe trashëgimisë kulturore, Shqipëria në krye të tendencave turistike