SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Berisha: Thirrje demokratëve të bashkohen

 Ish-kryeministri Sali Berisha, në emër të Komisionit të Rithemelimit dhe të Partisë Demokratike i ka bërë thirrje demokratëve të bashkohen.

Në një konferencë për mediet në selinë e PD-së, Berisha u shpreh se u bën thirrje demokratëve të Shqipërisë t’i shtrinë dorën njëri-tjetrit sot dhe të bashkohen për interesin më të madh të vendit, kombit dhe shoqërisë shqiptare. Sot Partia Demokratike është parti e të gjithë demokratëve dhe demokrateve, prej saj nuk mund të ketë të larguar.

“Vendimi i gjykatës legjitimoi më në fund vendimet historike të kuvendit të 11 dhjetorit të PD-së. Vendime të cilat sjellin Partinë Demokratike si parti të votës së lirë, vlerave konservatore në themel të saj, parti e orientimi euroatlantik dhe interesit kombëtar”, theksoi ai.

Berisha shtoi se, “nuk mohohet se partia kaloi një krizë për shërimin e së cilës është në detyrimin e çdo demokrati të kontribuojë. Pas 6 marsit kam marrë takime të përditshme me kryetarë të degëve të PD-së të rretheve të ndryshme të vendit, të cilët gjer më 6 mars nuk kanë mbështetur lëvizjen e nisur. Shpreh kënaqësinë dhe vlerësimin se në këto takime kam gjetur angazhimin e tyre të plotë për të kontribuuar në procesin e bashkimit të PD-së”.

“I kam siguruar se çdonjëri prej tyre ka besimi e plotë të Komisionit të Rithemelimit të PD-së për të kandiduar për çdo post që dëshiron dhe theksoj se statusi i 11 dhjetorit nuk ka kufizim për numrin e mandateve të kryetarëve të degëve. Disa prej tyre më kanë shprehur kërkesë se zgjedhja për kryetarët e degëve të shtyhet nga data 3 në 20 prill. Në komision e diskutuam çështjen dhe komisioni është dakord dhe po hartohet udhëzuesi për t’u shpërndarë”, tha ai.

Berisha tha se ky është një proces pozitiv, i cili është penguar në një shkallë edhe nga marrëdhënia që kanë patur me kryetarin PD-së, por tani Basha ka dhënë dorëheqjen dhe ka marrë përsipër problematikat e krijuara prej tij nga shtatori e këtej.

“Është krijuar logoja, e cila në mënyrë të padrejtë, siç faktoi 6 marsi, nuk iu dha PD-së. Sot këto faktorë nuk ekzistojnë më. Sot PD ka një logo zyrtare të regjistruar në gjykatë. Sot PD ka një statut të një kuvendi më të pashembullt në historinë e saj dhe ndoshta në historinë e Evropës”, theksoi Berisha.

Berisha foli dhe për takimin me Alibeajn dhe Bardhin në selinë e PD-së.

“Bisedova me kryetarin e grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhin, por nuk ishte shtrëngim duarsh, por diskutim për problemet. Në këtë diskutim unë kërkova angazhimin e tyre në procesin e bashkimit të PD-së. Mund të them se i gjeta të preokupuar për këtë proces, por natyrisht diferencat në mendime konsistojnë. Ajo çka gjykoj unë se është në detyrimin e të gjithë drejtuesve aktualë, është të dialogojnë, debatojnë, diskutojnë në grupin parlamentar të PD-së. Komisioni i Rithemelimit ka besim të plotë te grupi parlamentar i PD-së dhe mesazhi më i mirë që mund të përcjellin deputetët është moralizimi i plotë i jetës të këtij grupi në interesit më të mirë të bashkimit të PD-së dhe të vendit”, përfundoi ai.///

error: