SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin, kreu i KMSH: Ushqeni dashuri për hir të Zotit

– Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, ditë që shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit dhe të dashurisë ndaj Zotit.Në të gjithë vendin, besimtarët myslimanë e kanë nisur kremtimin e kësaj feste të shenjtë që në orët e para të mëngjesit duke iu drejtuar xhamive për të falur Namazin.

Në Tiranë, qindra besimtarë myslimanë falën namazin në sheshin “Skënderbej”, por edhe në xhamitë e tjera të kryeqytetit.Në faljen e Kurban Bajramit, kreu i Komunitetit Mysliman, Haxhi Bujar Spahiu ka uruar besimtarët myslimanë duke u shprehur se është një festë që na kujton se sa i lartë duhet të jetë devocioni i njeriut ndaj Zotit.

“Të dashur besimtarë, jeta e njeriut është një rrugëkalim nga kjo botë për në botën e përtejme. Ky është ligji i Zotit. Në shoqërinë e sotme moderne, jeta është shumë e vrullshme. Ky vrull është nguti për të arritur sukses në gjërat materiale, edhe pse të gjithë e dimë se kjo botë nuk do t’i mbetet askujt.  Një ndër kostot që njeriu i sotëm paguan duke rendur vetëm pas kësaj bote, është lënia pas dore edhe e familjes”, u shpreh ai.

Spahiu solli në vëmendje se ditë si kjo e sotmja duhet të na shërbejnë për të reflektuar.

“Ne të gjithë jemi dëshmitarë të problemeve të shumta që ndodhin përreth, sidomos ato me familjen. Ne shohim se si çdo ditë rekordet e dhunës në familje rriten. Kjo është e papranueshme. Statistika të reja që tregojnë se përqindja e divorceve është shtuar shumë. Fjala “divorc” po kthehet në diçka normale për çiftet, sidomos ato me fëmijë. Motra dhe vëllezër, sipas islamit por edhe çdo studimi sociologjik bashkëkohor dëmi që i shkaktohet fëmijës nga divorci i prindërve është i parikuperueshëm. Merrni më shumë përgjegjësi, bëhuni më të ndjeshëm, për rehatinë tuaj mos prishni rehatinë e fëmijëve. Një tjetër gjë shqetësuese është sjellja ndaj prindërve. Mos i lini prindërit vetëm, kujdesuni për ta, trajtojini me dashuri e dhembshuri, ashtu sikurse ata janë kujdesur për ju kur ishit fëmijë. Kështu na urdhëron edhe Zoti në Kuranin e madhërishëm”, u shpreh ai.

Ai theksoi se “ne si komb, ndihemi ende superiorë dhe të suksesshëm për sa i përket familjes. Ta ruajmë me fanatizëm këtë gjë. Kurbani është përkushtim ndaj Zotit, është përkujtim dhe forcim i lidhjeve familjare e farefisnore. Motra dhe vëllezër, familja është bërthama e shoqërisë njerëzore, të gjithë e pranojmë këtë, por çuditërisht, forca tërheqëse e kësaj dynjaje është shumë e madhe, dhe dashur pa dashur, secili nga ne ka shumë për të korrigjuar në këtë drejtim”.

“Kurbani është braktisje e punëve të padobishme dhe aksioneve të kota. Qëndroni pranë principeve të larta hyjnore, qëndroni pranë vlerave të familjes, rrisni përkushtimin dhe kontributin për një shoqëri të drejtë, mos iu ndani të vërtetës. Ushqeni dashuri për hir të Zotit ndaj njëri-tjetrit. T’i lutemi Zotit të na forcojë në rrugën e drejtë. T’i lutemi që t’i bekojë familjet tona”, u shpreh Kreu i KMSH në mesazhin e urimit.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Mishi ndahet mes pjesëtarëve të familjes, mes miqve dhe i dhurohet të varfërve.///

1

error: