SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Butrinti: Meta reagon pas rrëzimit të dekretit Ligji bie ndesh me Kushtetutën

Presidenti Ilir Meta u bëri thirrje sot deputetëve të mbrojnë Parkun e Butrintit dhe vlerat e trashëgimisë historike dhe kulturore kombëtare.

Reagimi i Metës erdhi pasi komisioni për Ekonominë dhe Financat rrëzoi dekretin e Presidentit për kthimin e ligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e parkut kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.

Në reagimin e tij, Meta shprehet se ligji bie ndesh me Kushtetutën.

Presidenti ftoi deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të lexojnë me shumë vëmendje të gjitha arsyet ligjore të prezantuara edhe sot në Komisionin e Ekonomisë nga Këshilltari Ligjor, Bledar Dervishaj, lidhur me kthimin për rishqyrtim në Kuvend të këtij ligji.

Sipas tij, “ligji cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës”.

“Ligji cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar. Cenon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO. Ligji bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese; praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij; procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje; shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre; për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Europian”, argumenton Meta.

Po ashtu, Meta u kërkon deputetëve të pranojnë dekretin e Presidentit, pasi sipas tij, “rrëzimi do të përkeqësonte marrëdhënien e shtetit me qytetarët”.

“I kujtoj shumicës në Kuvendin e Shqipërisë se nëse do të zgjedhë të rrëzojë politikisht Dekretin e Presidentit dhe të vijojë me hyrjen në fuqi të ligjit, kjo nuk do t’i shërbente aspak interesave të larta të vendit dhe kombit shqiptar, por do të përkeqësonte çdo marrëdhënie të organeve të shtetit me shoqërinë civile, ekspertët, dhe qytetarët në tërësi”, tha ai.///

error: