Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi nuk e pranoi kërkesën e Partisë Demokratike të Shqipërisë me kryetar Lulzim Basha për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e 14 majit.
Duke parashtruar arsyet e vendimit në seancën publike të pasdites së sotme, pas shqyrtimit të kërkesës së partisë politike “Partia Demokratike”, për regjistrimin si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, Celibashi tha se kërkesa e PD për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor nuk ka bazë ligjore dhe nuk duhet të pranohet.
“Në vlerësimin tim, nga pikëpamja formale Lulzim Basha ose personat e autorizuar nga ky i fundit kanë të gjithë legjitimitetin për të paraqitur kërkesën për t’u regjistruar si objekt zgjedhor. Por, dokumentet për regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor të Shqipërisë i paraqitur nga ju si i autorizuar nga Basha kanë një mangësi themelore”, iu drejtua Celibashi, përfaqësuesit ligjor të PD-së, Indrit Cefa.
Celibashi argumentoi se deklarata solemne duhet të jetë e nënshkruar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, por rezulton se është nënshkruar nga Alibeaj, i cili është autorizuar sipas dokumentacionit nga Basha. Në vlerësimin tim Lulzim Basha ose personat e përfaqësuar prej tij mund të bëjnë kërkesën”, tha Celibashi.
“Meqë nuk ka asnjë dokument tjetër, jemi në të njëjtën situatën si në seancën e shkuar. Dhe meqë nuk kemi kërkesë shtesë, japim gjykimin tonë mbi kërkesën për regjistrimin e PD. Çështja e përfaqësimit ligjor për të paraqitur kërkesën ka qenë në diskutim. Në vlerësimin ligjor, ka disa fakte e pretendime që i gjej të mbështetura në ligj e disa jo. Qëndron që Basha është kryetar i PD, ligjërisht dhe nuk qëndron tjetri se Berisha është ai kryetar i PD. Mbi këtë fakt ka legjitimitet pala e Bashës, ose persona të autorizuar nga ai kanë legjitimitetin për të paraqitur kërkesën për regjistrim si subjekt zgjedhor. Por ky autorizim duhet të jetë plotësisht i qartë dhe i plotë. Dokumentacioni për regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor, ka një mangësi themelore, deklarata duhet të jetë e nënshkruar nga vetë kreu i PD, por rezulton e nënshkruar nga Alibeaj”, theksoi Celibashi.
Në bindjen time, vijoi Celibashi, deklarata solemne është një akt që nënshkruhet vetëm nga kreu i partisë.
“Sjell si shembull zgjedhjen e presidentit. Për të njëjtën vlerë juridike lidhur me kërkesën për regjistrimin si subjekt zgjedhor, mbart edhe deklarata solemne. Keni pretenduar se Alibeaj e ka të drejtën të nënshkruajë pasi është i autorizuar nga kreu i partisë, por pretendimi juaj nuk ka bazë ligjore. Si solemniteti edhe urdhërimi nuk mund të delegojnë nëse ligji e parashikon ndryshe, në rastin konkret nuk ka parashikim tjetër. Përgjegjësia e kreut të partisë është e njëjtë me përgjegjësinë e një dëshmitari në proces gjyqësor, që nuk transmetohet tek një tjetër, është gjithnjë personale”, vijoi Celibashi.
“Nga ju u pretendua se është fakt i njohur se Basha ka dhënë dorëheqjen dhe s’mund të nënshkruajë. Vjen në kontradiktë me veprimet nga ana juaj, në vlerësimin tim nuk ka bazë ligjore”, theksoi Celibashi.
Celibashi u shpreh se “kur është rasti të legjitimojë ty z. Sefa si përfaqësues Basha është kryetar. Kur ju kërkohet që deri sa është kryetar, duhet të përmbushë detyrimet që i ngarkon Kodi ju sillni në vëmendje pretendimin se ka dhënë dorëheqjen. Në këtë rast duhet që organet e partisë të depozitojnë në gjykatë njoftimet përkatëse, vendimet e mundshme të organeve përkatëse, duhet të depozitohen në regjistrin e partive. Kështu edhe në rastin konkret Basha ka dhënë dorëheqjen prej 2022, prej Bashës nuk ka asnjë dokument në lidhje me administrimin e dorëheqjes së tij. Duhet ta kishit depozituar dorëheqjen në gjykatë”.
“Organet e tjera drejtuese, kanë pasur rreth një vit kohë për të bërë depozitimet e akteve në regjistrimin e partive, vetëm kështu kushdo tjetër kishte kompetencat e kreut të PD edhe pa qenë kryetar. Në kushtet kur nuk është bërë depozitimi i dorëheqjes, atëherë Alibeaj si nënkryetar mund të pranohet se i ushtron disa kompetenca, por jo të gjitha kompetencat dhe përgjegjësitë e kryetarit. Ndaj në kushtet kur deklarata nuk është sipas ligjit. Kërkesa e PD për t’u regjistruar nuk ka bazë ligjore dhë nuk duhet të pranohet”, tha Celibashi.
Seanca publike e pasdites së sotme u zhvillua me dëgjesën e palëve dhe pretendimeve të tyre pasi më herët KAS rrëzoi ankimimet e Partisë Demokratike të Shqipërisë me kryetar Lulzim Bashën dhe të Partisë Demokratike me kryetar Sali Berishën.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI