SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Çështja “Beleri”, Rama: Nuk jam dakord që një vend i huaj të bëjë komente për sistemin e drejtësisë së një vendi tjetër

Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “nuk jam dakord që një vend i huaj, një qeveri e huaj të bëjë komente të thella rreth veprimeve të sistemit të drejtësisë së një vendi tjetër, edhe duke qenë vende mjaft mike”.

Në intervistën për gazetën prestigjioze greke “Kathimerini” me gazetarin Pavlos Papadopoulo, i pyetur për çështjen Beleri, Rama tha se “sipas meje, kjo nuk është europiane! Si fillim, duhet të bazohemi në atë që ne dimë, sepse nuk dimë gjithçka. Do marrim vesh çdo gjë kur prokuroria e posaçme të paraqesë provat e plota në gjykatë dhe ende nuk kemi shkuar aty. Por, mbështetur në atë që dimë, ai u kap në flagrancë, pra u kap në veprim e sipër të blerjes së votave, sigurisht me rrjetin e tij të blerjes së votës”.

“Së dyti, leja – sepse këtu është përqendruar vëmendja tani – e drejta për të marrë leje për të bërë betimin. Pikë së pari, në këtë pikë të dytë, askund në legjislacionin shqiptar nuk ekziston kompetenca e qeverisë ose e kryeministrit të nxjerrë leje për një të ndaluar në paraburgim – në paraburgim (e theksoj) – që të dalë nga burgu. Kjo nuk ekziston. Nga ana tjetër, ai, avokatët e tij apo kushdo qoftë duhej të kalonin përmes gjykatës për ta kërkuar këtë gjë, e cila më duhet t’ju rithem nuk ekziston në legjislacionin shqiptar. Nuk ka diçka të tillë që dikush të marrë leje për të bërë betimin, ndërkohë që është në paraburgim për një krim në flagrancë dhe gjykata e ka refuzuar tashmë. Së treti, ju thatë se arsyeja e tretë, nëse nuk e kam gabim, ishte burgosja e një kryetari të zgjedhur bashkie, kështu?”, nënvizoi Rama.

Pyetjes se Beleri mbahet i burgosur ndërkohë që nuk mund ta kryejë të njëjtin krim sërish, Rama iu përgjigj se “po, por çështja është se mbështetur në sa mund të kuptojmë nga ajo që ka ndodhur sa i takon procesit, ai është burgosur sepse në të tria nivelet e gjyqësorit të Republikës së Shqipërisë, në shkallën e parë, në apel dhe në Gjykatën e Lartë, ai nuk u la i lirë. Ndaj, pyetja ime është shumë e thjeshtë: “Ku hyj unë dhe ku hyn qeveria shqiptare në të gjithë këtë?” Tani, do ju jap pak kontekst. Ky sistem, që do të thotë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë krijuar në zbatim të një reforme në drejtësi që, nga “A”-ja në “Zh”, u konceptua, u hartua, u miratua dhe nisi të zbatohej nën monitorimin e rreptë të Bashkimit Europian dhe me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, përfshi Greqinë dhe janë këto organizma që kanë vendosur për paraburgimin, të katër a pesë ish-kryetarëve të bashkive të Partisë Socialiste të Shqipërisë, nëse nuk gaboj numërimin”.

“Tri ditë përpara nisjes së fushatës, një kryebashkiak i Partisë Socialiste të Shqipërisë, i cili ishte kandidat, u arrestua dhe u la në paraburgim dhe nuk jam i sigurt nëse, që atëherë, është çuar përpara gjykatës”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “këto struktura janë tërësisht të pavarura nga çdo ndikim dhe nga çdo ndërhyrje e mundshme nga unë dhe nga qeveria. Ky është një zotim që e kemi marrë dhe ju sfidoj të gjeni qoftë edhe një koment të vetëm, një koment të vetëm timin dhe unë jam Kryeministri i Shqipërisë, nuk jam Kryeministri i Greqisë! Unë jam Kryeministri i Shqipërisë dhe kurrë nuk i kam komentuar veprimet e këtyre institucioneve të reja. Kjo nuk do të thotë se jam i kënaqur me të gjitha veprimet e tyre dhe se nuk kam idetë e mia për një veprim a një tjetër. Unë i kam thënë partisë sime, u kam thënë njerëzve: “Kjo do të jetë e dhimbshme, kjo nuk do të jetë e përsosur. Po ndërtojmë nga zeroja në Shqipëri një sistem gjyqësor që nuk ka ekzistuar kurrë më parë, kurrë në historinë e Shqipërisë, jo vetëm për këtë pjesë të historisë, por qyshse kemi një shtet shqiptar, nuk ka pasur as edhe një rast kur një person i lidhur me pushtetin, qoftë nën monarki, nën diktaturën komuniste, nën qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, të ketë shkuar në burg (pavarësisht dëshirës së pushtetit). Asnjë, nuk ka as edhe një rast””.

“Sot, ndërkohë, nuk kemi pak, as nuk i mbaj mend sa janë bërë dhe do të vazhdojmë kështu. Tani, a është e përsosur? Asgjë nuk është e përsosur. A kam unë shqetësime, a kam mendime që mund të jenë ndryshe në një mënyrë a një tjetër, për një rast apo një tjetër? Ndoshta, por kjo është ajo që duhet të bëjmë. Duhet të durojmë dhimbjen, duhet të durojmë papërsosmëritë dhe duhet të  vazhdojmë përpara, sepse ky është një moment në histori kur po provojmë diçka të paprovuar ndonjëherë dhe që kur është provuar, jo kështu, po në një nivel shumë më minimal, është tretur, sepse nuk është e lehtë të kesh një gjyqësor të pavarur në një vend ku jemi të gjithë kushërinj. Po të gërmojmë, dalim të gjithë kushërinj. Duhet të dini edhe ju diçka për këtë, sepse, edhe pse Greqia është më e madhe, jemi i njëjti soj, kemi të njëjtat lidhje fisnore, familja është e rëndësishme, kushërinjtë janë të rëndësishëm, fqinjët janë të rëndësishëm, të njohurit e të njohurve janë të rëndësishëm, por na duhet ta ndërtojmë (drejtësinë)”.

Jua solla këtë si kontekst, vijoi Rama,  për bisedën tonë dhe ka edhe njerëz të tjerë në këtë vend që kanë bërë gjëra të tmerrshme.

“Nuk janë nga partia ime, nuk janë prej atyre që sot janë në qeveri dhe mbeten ende të paprekshëm. Na duhet të presim, të tregojmë durim,  duhet të shohim, është punë në ndërtim e sipër. A mendoni se ka një vend ndryshe, se duhet të ketë një drejtësi ndryshe, se duhet të ketë një trajtim ndryshe për dikë që, po, është me kombësi greke”, tha Rama.

Por, shtoi Rama, që është qytetar shqiptar, i cili duhet t’i bindet ligjit dhe duhet të kalojë në të njëjtat kanale.

“Kjo është përgjigjja ime dhe jo pra, nuk ka… E di që faktet ndonjëherë nuk mjaftojnë, sepse kur dikujt i është ngulitur një ide, vazhdon t’i qëndrojë asaj, por ka diçka që dua ta theksoj dhe që mendoj se qytetërimi ynë, bota në të cilën ne besojmë e ka zgjidhur që nga koha e Romës: Është barra e akuzuesit dhe jo e të akuzuarit për të paraqitur prova. Tani, i akuzuari jam unë dhe nuk më takon barra për të sjellë prova. Unë përpiqem të sjell argumente, por nuk kam parë asnjë provë, asnjë provë që do të mbështeste njëfarësoj argumentin se është Edi Rama që po e bën këtë, ai po tregohet kokëfortë dhe ai po qëndron në të tijën, se ai është kështu e ai është ashtu”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “ka pasur komente në Greqi për të cilat më ka ardhur keq, deri edhe të tipit “ai është bishti i Erdoganit, po bën sipas Erdoganit.”. Dëgjoni, kjo është e tepërt dhe nuk e nderon Greqinë, nuk e nderon gazetarinë greke, nuk e nderon politikën greke”.

I pyetur se pse zgjodhi të sulmonte personalisht një kandidat për kryetar bashkie, Rama tha se “para së gjithash, siç e thashë, ndonjëherë, në politikë, mund të thuash gjëra për të cilat nuk je krenar dhe në këtë fushatë, po, kam thënë disa gjëra për të cilat realisht nuk ndihem mirë, por nuk ndihem mirë, sepse kjo u lidh me atë që ndodhi, që nuk ka fare lidhje, fare. Arsyeja pse u tregova i ashpër me të ishte se ai bëri disa deklarata shumë, shumë të papranueshme, të tilla si “do të çonte përpara procesin e ndërprerë të helenizimit të Himarës”. Kjo është diçka që nuk mund të thuhet në Europë, në këtë Europë. Kjo vjen nga një e shkuar e errët dhe shumë e largët. Pastaj, sigurisht, edhe të tjera që nuk ishin realisht aspak të mira”.

“Fliste sikur ishte atje për të çliruar Himarën, nuk e di prej kujt, po mund të flasim për këtë. Sidoqoftë, po ju bëj një pyetje retorike: “Nëse unë do të kisha dijeni që kishte një hetim të nisur nga denoncimi i dikujt dhe të angazhuar nga prokuroria, do ta ekspozoja veten me një gjuhë kaq të ashpër? Po ta dija që ai do të arrestohej, do ta ekspozoja veten me një gjuhë kaq të drejtpërdrejtë? Mendoj që, jo, sepse mund të mos jem njeriu më i mençur në botë, por nuk jam edhe më budallai në botë dhe ky do të ishte një budallallëk i madh. Arrestimin e tij e mora vesh kur policia ishte vënë në veprim dhe telefonova drejtorin e policisë e i thashë: “Çfarë është kjo?” Më tha: “Kemi një mandat arresti nga prokuroria dhe bazohet mbi prova bindëse për blerje votash”. I thashë: “Dëgjo, bëni mirë të jeni të sigurt për atë që po bëni, sepse kjo mund të marrë shumë për keq dhe duhet të mbështetet mbi prova bindëse. Megjithatë paçi fat”. Kjo nuk ishte diçka në të cilën isha i përfshirë, aksioni po zhvillohej tashmë”.///

error: