Nga Vangjel SAKO /
Në asnjë mënyrë nuk marr përsipër të them dhe të deklaroj se mbaj autorësinë e konkluzionit se emisionet televizive në orët më të ndjekura të mbrëmjes në televizionet kryesore shqiptare janë bastarduar plotësisht. Janë shprehur për këtë të vërtetë profesorë mendjendritur të fushës përkatëse, sociologë e prindër të shqetësuar për një fenomen të tillë.
Ndonëse lakuriqësia e çupave shqiptare nëpër ekranet e televizioneve kryesore ka hyrë në një garë të pashfrenuar se kush e kush të ketë fustan më të shqyer lartë e poshtë, reagimet kanë qenë spontane dhe zëra të shkëputur. Kjo sepse shoqëria shqiptare, edhe për probleme jetike, ende diskuton vetëm nëpër tavolina shtëpie apo kafeneje dhe ende nuk e ka ngritur një institucion të vetin për protestë masive që në fund edhe të vendosë për vazhdimësinë.
Një ndërhyrje e tillë nuk është aspak ndërhyrje në jetën private të individit, por duhet të jetë një postbllok në harbimin njerëzor. Pronarët e këtyre televizioneve, me mungesa të dukshme intelektuale, por pse të mos themi edhe të ndjenjës shpirtërore kombëtare, rendin vetëm pas audiencës që për ta është parësore duke shkelur kështu edhe misionin që ka televizioni në vetvete. Në të vërtetë ata janë në rregull me ligjin: Askush nuk i ndalon ata të bëjnë konkurs për sa më shumë shalë dhe cica jashtë, madje edhe brekë e pa brekë. Por ka një kod moral të pashkruar po aq me peshë në mos më shumë se ligji që ka mbajtur gjallë qelizën e shoqërisë shqiptare, familjen që të vë ty një limit zhveshjeje dhe nuk të lë të dalësh thuajse si të ka bërë nëna. Sot qysh në vitet e para të shkollës mësohen organet e trupit të njeriut edhe ato intime dhe gjithsecili e di se ç’ka nën fustan apo këmishë e pantallona një femër apo një mashkull, por të shijuarit e tyre kanë kohën dhe vendin e tyre të zhvillimit. Gjithkush nuk është i ndaluar të shijojë një kumbull apo goricë të papjekur, apo të vjedhur, por do të rrudhë buzët dhe vetëm kur ajo të jetë e pjekur do të ndjejë ëmbëlsinë e vërtetë.
Sot nuk ka nevojë të jesh “hajdut apo mashtrues zemrash” sepse ato të joshin vetë deri edhe publikisht. Dalin në një emision televiziv 10-15 vajza, njëra më e bukur se tjetra, njëra me profesion më dinjitoz se tjetra dhe kërkojnë … burrë. Është e drejta e tyre, por e keqja është se ato pretendojnë ta gjejnë gjoja përmes dashurisë. Kjo ndjenjë nuk është as frutë apo perim, nuk është as send me vlerë që t’i mund ta gjesh dhe ta blesh në një dyqan, por lind në zemër ndonjëherë edhe kundër dëshirës tënde. Ajo të mbërthen me kthetrat e saj natyrshëm, por ti je i detyrueshëm të bëhesh skllav i saj. Dashuria as lypet dhe as gatuhet siç po ndodh në ekranet shqiptare. Ajo është ndjenjë e brendshme dhe ka parametrat e saj spontanë që të lulëzojë. Ajo nuk ngjizet me të puthura e të stërputhura, as më të lëpirë e të stërlëpirë nën vëzhgimin e kamerave dhe syve të publikut (që gjithsesi duhet thënë se përposh përbuzjes që i bën kësaj mënyrë të të quajturit dashuri, argëtohet), por ka sekretin e saj se sa më e fshehtë të jetë aq më shumë të ëmbëlson.
Dashuria të do të jesh edhe artist, por real dhe jo artificial siç hiqen vajzat në këto emisione. Puthja në buzë është e shenjtë dhe nuk mund t’i jepet çdo kalimtari që takon në rrugë, por vetëm njeriut të zëmrës. U shqye njëra nga ato vajzat protagonist në një emision duke u puthur e stërputhur me djemtë duke i ndërruar çdo javë, por unë do të dija se si do të ndihet ajo (por edhe ai) kur të përfundojë me njërin prej tyre dhe kur të jenë duke u puthur të kujtohen se ato buzë i kanë “shqyer” edhe ca “ujqër” të tjerë. Unë nuk them të kthehet koha ime dhe e bashkëmoshatarëve të mi kur një buzë e ditur e puthur e kishte të vështirë të gjente burrë, por edhe kështu, “autobus urban” hip e zbrit kush të mundet, nuk është aspak normale. Nuk kam asgjë me ato vajza që me dëshirë duan të ekspozojnë edhe pjesë intime të trupit të tyre sepse ato janë pronë private, por e keqja nis kur këtë lakuriqësi që e bëjnë publike jo për ta dënuar, por për t’i bërë reklamë.
Sepse pyetja më e thjeshtë që lind në këtë rast është: çfarë mesazhi përcillet me këtë lakuriqësi? Ajo që po ndodh sot në ekranet e televizioneve me këto të ashtuquajtura emisione dashurie më kujton një ndodhi të pak viteve më parë. Pinim kafen e mëngjesit tre-katër shokë me profesione të ndryshme dhe kur do të ndaheshim, njëri prej tyre, psikolog më ftoi të shkoja në studion e tij sepse kishte lënë disa takime me klientë të ndryshëm dhe për mua si gazetar do të ishin interesante. Përpara se të fillonte seancën ai merrte aprovimin e klientit që a mund të rrija edhe unë i pranishëm dhe pastaj vazhdonte. Dikur hyri në studio një vajzë e bukur për ta pirë në kupë. Vazhdonte vitin e fundit për arkitekturë. Nuk e zgjati shumë me pyetje-përgjigje, por ju drejtua mikut tim: profesor, unë deri tani kam ndërruar 6 dashnorë, po dashnorë të vërtetë, a mund të quhem unë kurvë? Për habinë time edhe përgjigja e mikut tim ishte hazërxhevap: jo, kurvë quhet ajo femër që i kalon 100 dashnorë! Arkitektja iku e kënaqur duke i shtrënguar dorën profesorit ndonëse ironia aty ishte hapur fare. Ajo që serviret nëpër ekranet shqiptare në këto emisione janë “ meny” e mirë për 10, 100… 1000 vajza që pajtohen që të sigurojnë një jetë luksoze duke “shitur” asetet që ua ka falur zoti dhe natyra, por si i bëhet halli për armatën e madhe të vajzave shqiptare që jetën ai kanë përkushtuar studimit dhe punës së ndershme? Sepse thotë populli ynë i mençur se “sheh rrushi-rrushin dhe prishet” dhe ndodh që në vend që këto të fundit të tërheqin me vete ato 1000 vajza që duan rehat përmes ekranit, ndodh e kundërta.
Nuk ngurrojë të them se këto emisione janë jo vetëm ç’edukuese, por edhe më keq akoma, imorale. Sepse pothuajse të gjitha çupat pjesëmarrëse, gjatë atyre që i quajnë takime intime me fronistët deklarojnë me syrin pishë se “në lidhjet e mëparshme…”, jo në njëjës, por në shumës dhe e thonë plot mburrje sikur kanë marre medalje të artë në universitet. Unë nuk jam shekullor dhe të mendojë se një vajzë në ditët e sotme me këtë ritëm të përshpejtuar jete duhet të qëllojë që herën e parë në dashuri me atë që do të kalojë jetën, por edhe kështu siç po ndodh me deklaratat e këtyre vajzave se “pas lidhjes së parë që zgjati 4 vjet përjetova një tjetër që zgjati vetëm katër muaj dhe më pastaj një tjetër që zgjati 1 vit” është nonsense i plotë. Ç’bënte kjo vajzë gjithë këtë kohë dhe me gjithë këta djem apo i numëronte dhëmbët apo sa qime kishin ata në mjekër?!
Dhe ndodh pastaj që në këto emisione vijnë dhe bëhet protagonist edhe femra me precedent penal siç ndodhi me atë vajzën nga Prishtina që edhe pasi iu bë publik ky fakt justifikohej aq thjeshtë se “eksperiencë ishte”. Mospreferenca ime për këto emisione nuk është vetëm dëshirë personale, por unë shpreh edhe revoltën e plot prindërve me të cilët unë komunikoj gati çdo ditë, madje mund të mburren se edhe personalitete nga vendi fqinj, Italia, nga ku mendohet se ne i kopjojmë këto emisione e kanë ngritur zërin duke i kritikuar këto shfaqje që drejtohen nga figura të njohura të ekranit italian. Sepse po ndodh që në ekranet shqiptare po shfaqen aq shumë shalë e cica sa po bëhen të zhvleftësuara dhe aq lirë sa ka qenë plëndësi në kohën e Enverit. Shikuesi shqiptar e do të bukurën, por atë që edhe edukon. Për ata që duan shalë e cica jashtë ka emisione dhe filma të veçantë që mund të jepen në orët e vona të natës.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.