Nga Ina ZHUPA
Sot, më 27 janar kujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit. Është kjo një ditë jo vetëm përkujtimi e nderimi për viktimat e asaj zezone të pashembullt dhe kujtimin e jetëve të shuara të tyre, por edhe moment reflektimi për të gjitha viktimat e shtypjes e gjenocidit vetëm sepse ishin të ndryshëm nga tjetri në pushtet.
Ne si shqiptarë, në mbarë trojet tona, qysh nga veriu i Kosovës e deri në Konispol, jemi krenarë që pikërisht në orën më të zezë, ne iu gjendëm pranë popullit hebre dhe shpëtuam me qindra e me mijëra pleq e plaka, burra, gra e fëmijë, të cilët mundën të vinin në Shqipëri.
Unë e kam për nder të vlerësoj trashëgiminë e lashtë hebreje në qytetin e Sarandës, që përfaqësohet nga Sinagoga e famshme si dhe të përkujtoj komunitetin historik hebre të Delvinës e të çmoj kujtimin e familjeve shqiptare që shpëtuan hebrenjtë gjatë luftës.
Mirëpo viti 1944 shënoi një tragjedi të pashembullt edhe për vëllezërit e motrat tona në Çamëri. Terrori dhe dhuna e pashembullt zerviste nuk i kurseu banorët e pafajshëm të Paramithisë më 27 qershor 1944.
Për të shpëtuar kokat, dhe me shpresën se një ditë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, mijëra çam kaluan kufirin shtetëror në verën dhe vjeshtën e vitit 1944 dhe u ngulën përkohësisht në fushat përreth Sarandës dhe Delvinës.
Ne sot nderojmë edhe kujtimin e atyre qindra pleqve e plakave, grave e fëmijëve që nuk i qëndruan dot dimrit të egër të vitit 1944-1945, skamjes, sëmundjeve dhe vështirësive të tmerrshme të atyre ditëve dhe që sot prehen në varrezat e Kllogjerit.
I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të Shoah!
I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të tragjedisë çame!
*Dokumenta nga arkiva amerikane për tragjedinë çame ku flitet për 25.000 familje refugjate dhe 10000 fëmijë.




ME SHUME LAJME
Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Policia e Sarandës, kontrolle në Ksamil për nivelin e zhurmave
Himarë. Policia Kufitare shpëton 5 pjesëtarët e një familjeje që rrizkonin të mbyteshin në det