SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Dhunoi 3-vjeçaren në kopsht, arrestohet edukatorja

Policia e Tiranës arreston edukatoren e kopshtit privat Majlinda Dehima, e cila akuzohet se dhunoi një 3-vjeçare, duke i shkaktuar thyerje të këmbës. Arrestimi i realizua me urdhë nga Prokuroria e Tiranës, që kërkoi arrestimin e edukatores që dhunoi vogëlushen 3-vjeçare në kopshtin privat në Tiranë. Përmes një njoftimi për mediet, Prokuroria e Tiranës sqaron se për shtetasen Majlinda Dehila është kërkuar masa e sigurisë “Arrest me burg”, për Veprën Penale “Keqtrajtim i të miturit”.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, për personin nën hetim M. D., për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit””, njofton prokuroria.

“Kjo masë u kërkua menjëherë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme, më dt. 09.11.2023, të procesverbalit për këqyrjen e pamjeve filmike (usb), i cili është mbajtur më dt. 08.11.2023. Me shkresën nr. 9538/1 prot., dt. 08.11.2023, protokolluar në Prokurori me nr. 10983 prot., dt. 09.11.2023, Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka përcjellë aktin e ekspertimit mjeko-ligjor”, vijon njoftimi i Prokurorisë.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen veprimet e tjera procedurale për dokumentimin e faktit, në kuadër të procedimit penal nr. 7527, i regjistruar pas kallëzimit mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, Komisariati i Policisë Nr. 1, për Veprën Penale “Keqtrajtimi i të miturit””, përfundon njoftimi i prokurorisë.

Pas njoftimit të prokurorisë, Policia e Tiranës ekzekutoi arrestimin.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për masën e sigurisë “Arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasen Majlinda Dehima, 48 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”. Kjo shtetase dyshohet se ka keqtrajtuar një të mitur, në një kopësht privat, ku punonte si edukatore”, njofton Policia.

“Ndërkohë me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në çerdhe, kopështe e shkolla private, Policia e Shtetit ka nisur kontrollet në terren për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të aktivitetit nga operatorët ekonomik privat. Policia e Shtetit fton prindërit, mediat e qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit e keqtrajtimit të fëmijëve në kopshte, çerdhe e shkolla, duke ju garantuar për reagim të shpejtë e profesional”, përfundon policia.///

error: