SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

DIALOG NË AUDITOR

Nga Gjergji Mano/

Edhe pse i ndodhur në një auditor të një universiteti grek 40 vjet më parë ngjan sikur dëgjohet sot në një nga auditoret e Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin e Tiranës!?
Është fillim tetori i vitit 1987. Profesori Niko Aleksiu sapo kishte mbaruar leksionin e parë të vitit të ri akademik. Një studente në radhën e parë mbante kokën midis duarve të saj sikur i kishin shkaktuar dhimbje të fortë ato që sapo kishte dëgjuar.
– Çfarë ke, vajzë? Të dhemb koka?
– Jo, thjesht çuditem me ato që po na thoni, profesor, dhe njëherazi nuk jam dakord. Vjen këtu sikur ke mundur ta kapësh prej brirësh këtë jetë dhe na jep leksione me sigurinë e toreadorit fitimtar që ka arritur të kalërojë demin. Na sfidoni si gjenerali që inkurajon ushtarët e vet të përparojnë në fushën e betejës, edhe pse e di që shumë prej tyre nuk do kthehen të gjallë nga fronti. Të gjithë njerëzit e duan suksesin, ashtu siç ju e përshkruani. Për shembull, të gjithë ne do të donim të bënim një karierë si e juaja. Të gjithë do donim të bënim jetën si do donim dhe jo ta lemë atë të na bëjë si do ajo. Kjo nuk ka diskutim. Por duket se po përpiqeni të na mbushni mendjen se nuk ekziston një gjë si fati. Se jemi ne që e kemi në dorë fatin tonë. Duket sikur do të na bindësh se lulja anemone çel edhe në shkretëtirë. Vërtet e besoni një gjë të tillë!?
– Sinqerisht nuk e di nëse lulja anemone çel edhe në shkretëtirë. Por kush është lulja anemone dhe kush është shkretëtira këtu?
– Lulja anemone jam unë dhe shkretëtira është bota që më rrethon. Të gjithë ata që nuk më lenë të çel. Është burgu i kufizimeve që na kanë krijuar të tjerët. Është hipokrizia dhe gënjeshtra, korrupsioni dhe rrushfeti, tarafet dhe hatëret, individualizmi dhe indiferenca, dhuna dhe shantazhi, zilia dhe ligësia. Është mungesa e shanceve të barabarta, vlerave dhe meritokracisë. Është fuqia e të fortëve. Janë marrëdhëniet sipërfaqësore dhe antagonizmi, intrigat dhe mashtrimet, fodullëku dhe mendjemadhësia, nepotizmi dhe militantizmi, demagogjia dhe propaganda, thashethemet dhe spekullimet, vogëlsirat dhe vulgaritetet. Është qarku i mbyllur i vlerave. Kjo është me pak fjalë shkretëtira që do të përcaktojë jetën time, profesor…
Prandaj, miq të dashur, nuk më shqetëson fare çështja aktuale e 12 miljeve të shelfit detar, sa më interesojnë shqetësimet e studentëve shqiptarë në auditoret universitarë, të ngjashme me ato të bashkëmoshatarëve të tyre grekë 40-50 vjet më parë.
12 miljet kanë për t’u zgjidhur me përgjegjësinë e qeverive, parlamenteve, gjykatave vendase dhe të huaja sipas të drejtës ndërkombëtare.
Hendeqet dhjetëra vjeçare në arsim, shkencë, mjekësi, teknologji, ekonomi me vendet e tjera kemi edhe ne individët përgjegjësi për t’i mbushur për ta kthyer vendin nga një shkretëtirë me rërë në një kopsht me lule anemone, veçanërisht për brezat e rinj.///

error: