Drejtuesi aktual i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani zhvilloi sot një takim me studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Një ditë pas zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, Klodjan Braho, Dumani theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm përgjegjësi e SPAK-ut, por një detyrë që duhet të përfshijë të gjitha institucionet dhe vetë shoqërinë.
Altin Dumani u shpreh se gjatë hetimeve janë detyruar që të venë para përgjegjësisë edhe kolegë të tyre në sistemin e drejtësisë.
“Korrupsioni është një fenomen, një plagë që prek të gjitha institucionet. Fatkeqësisht na është dashur t’i vëmë përpara përgjegjësisë penale edhe kolegët tanë. Në 6 vite SPAK, numri i policëve të hetuar për korrupsion apo vepra të tjera penale është mbi 70. Fatkeqësisht, në hetimet tona kemi patur policë, funksionarë të lartë policie, të cilët madje janë deklaruar fajtorë, si pjesëtarë të organizatave kriminale apo grupeve të strukturuara kriminale, janë marrë të pandehur si anëtarë të grupeve të strukturuar kriminale apo edhe organizatave kriminale. Nuk janë vetëm nga policia, por edhe nga gjyqësori. Madje kemi edhe një çështje, që një gjyqtari i është atribuar edhe vepra penale si pjesëmarrje në organizatë kriminale.
“Policia e Shtetit, pavarësisht kësaj pjese – që na ka rezultuar e implikuar në vepra penale – në masën absolute patjetër janë djem dhe vajza të cilët janë të përkushtuar në punën e tyre dhe meritojnë vetëm respekt. Institucioni ynë ka bashkëpunuar dhe vazhdon që të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit në hetimin e çështjeve të ndryshme që ne trajtojmë”, tha Dumani.
Dumani theksoi se “SPAK tashmë është një institucion i konsoliduar, ka maturinë e duhur, prokurorët kanë integritetin duhur, profesionalizmin e nevojshëm dhe këto janë garancitë që mua më bëjnë shumë optimist për të ardhmen e institucionit. Vlerësoj se ardhmja e institucionit do të jetë shumë e mirë”.
Në përfundim të mandatit të tij, Dumani u shpreh i kënaqur me arritjet e institucionit që ka drejtuar.
“Unë jam një prokuror si gjithë prokurorët e tjerë, të cilit iu dha mundësia në vitin 2022 të drejtoj këtë institucion. Ka qenë vërtet nder për mua ta drejtoj këtë institucion në këto 3 vite shumë intensive dhe të vrullshme. Jo tani si drejtues, por të tillë e kam ndërtuar karrierën time, që nga dita e parë që kam futur këmbët në sistemin e drejtësisë. Jam në vitin e 26-të si prokuror dhe kam ushtruar detyrën gjithmonë i pavarur, kam refuzuar gjithmonë çdo ndërhyrje, nuk i kam dhënë mundësinë askujt të ndërhyjë në punën time. Kam respektuar bindjen time të brendshme dhe gjithashtu jam përpjekur t’i qëndroj besnik ligjit dhe provave”, tha Dumani.
Të martën e ardhshme ai do t’i dorëzojë detyrën Klodjan Brahos, i cili do të marrë drejtimin e SPAK për tre vitet në vijim.(Marseda QEFALIA).///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade