SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

FOKUS. Reshat Arbana në 85-vjetorin e lindjes: T’i lëmë hasmëritë, sepse jeta është e shkurtër

 Nën dritën e kujtimeve dhe magjinë e artit të tij, Reshat Arbana festoi mbrëmjen e djeshme 85-vjetorin e lindjes rrethuar nga miqtë, kolegët dhe dashamirë.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit i kushtoi një homazh të veçantë aktorit të madh me shfaqjen e dokumentarit “Përballë, me Reshat Arbanën”, duke sjellë pranë publikut figurën e aktorit që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kinemanë dhe teatrin shqiptar.

“Jeta qenka tre ditë: e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja. E nesërmja nuk dihet. Ta bëjmë sot atë që kemi për të bërë, mos ta lemë për nesër. Ta duam më shumë njëri-tjetrin. Ky ishte stacioni im i 85-të. Po të ikja nga kjo botë, koka do të mbetej pas dhe në zemër do të kisha pengun për të parë në Shqipërinë time të dashur demokracinë e vërtetë. T’i lëmë hasmëritë, sepse jeta është e shkurtër”, u shpreh Arbana mes emocionesh.

Reshat Arbana mbetet një prej figurave më të dashura për publikun, falë kontributit të jashtëzakonshëm në kinematografi dhe teatrin shqiptar. Ai ka sjellë në jetë mbi 40 personazhe në film dhe qindra role në skenë, duke u shndërruar në simbol të shpirtit popullor, burrërisë, dhimbjes, revoltës dhe dashurisë për vendin.

Ndër rolet e tij më të spikatura përmenden Islami te “Duel i heshtur” (Anagnosti, 1967), Samiu te “Fije që priten” (1976), Prefekti te “Gjeneral gramafoni” (Gjika, 1978), Bimbashi te “Liri a vdekje” (Muçaj, Mitro, 1979), Isa Boletini te “Nëntori i dytë” (Gjika, 1982), Ahmeti te “Dora e ngrohtë” (Çashku, 1983), Adnani te “Hije që mbeten pas” (Musliu, 1985), Aliu te “Binarët” (Fejzo, 1987), Emili te “Rikonstruksioni” (Kasaj, 1988) dhe Kukë Memini te “Balada e Kurbinit” (Çashku, 1990).

Për interpretimet e tij të fuqishme si Dajlan Beu te “Kush vdes në këmbë” (Prifti, 1984) dhe Kryetari i Këshillit te “Kur hapen dyert e jetës” (Ljarja, 1986), Arbana është vlerësuar me Medalionin e Festivaleve të Filmit në vitet 1985 dhe 1987.

Mbrëmja kushtuar 85-vjetorit të tij u kthye në një homazh të ngrohtë, ku publiku e përshëndeti me emocione, kujtime dhe duartrokitje të gjata, duke i dëshmuar edhe njëherë dashurinë e pakushtëzuar. (Arlinda GJONAJ).///

error: