“Gjirokastra si ishte, si është, si po zbukurohet dhe sa punë do të na duhet t’ia kushtojmë asaj” titullohej ekspozita e çelur sot në qytetin e gurtë në kuadër të “Ditët Europiane të Trashëgimisë”.
Specialistja e Trashëgimisë Jo Materiale në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Eni Çuçi, tha sot për ATSH-në se “ekspozita kishte rreth 60 fotografi të ndara në 3 periudha, në atë para viteve ’44, në vitet ‘44-’90 dhe periudhën pas viteve ‘90 deri në ditët e sotme”.
“Gjithashtu ekspozita përmbante edhe foto të kostumeve popullore të hershme të zonave të ndryshme të Gjirokastrës, Lunxhit, Dropullit, Përmetit e Libohovës”, – tha Çuçi.
Sipas saj, ekspozita u çel në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë, ku nëpërmjet zhvillimit të ngjarjeve kulturore synohet nxjerrja në pah e vlerave të trashëgimisë kulturore.
“Një tjetër veçanti e kësaj ekspozite ishte çelja e saj në një nga pjesët më të bukura të kalasë e restauruar së fundmi, pjesa e kupolës poshtë sahatit aty prej ku qyteti gjarpëron e shihet të flejë i qetë”, – u shpreh Çuçi.
E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI