Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro nënshkruan sot një “Udhëzim të Përbashkët”, i cili rregullon në mënyrë ligjore çështjen e ndotjes akustike në vend.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit të këtij udhëzimi, Balla bëri të ditur se ka marrë personalisht qindra mesazhe nga qytetarët që ankohen sidomos për fishekzjarrët e hedhura në mesin e natës, nga shtetas që festojnë ditëlindje apo raste të tjera familjare.
Balla theksoi se “Tirana ka gati 1 milion banorë dhe me një përllogaritje të përafërt i bie të ketë mesatarisht 3000 persona me 1 ditëlindje dhe nëse të gjithë do të shkrepnin fishekzjarrë në mesin e natës, ndotja akustike do të ishte e paimagjinueshme”.
Ministri nënvizoi gjithashtu se “Policia e Shtetit, bashkë me policitë bashkiake, si autoritete për zbatimin e këtij udhëzimi, do të ushtrojnë kontrolle për çdo burim të zhurmës, përfshirë edhe këto të fishekzjarrëve dhe do të ndëshkojmë me gjobë këdo, qoftë operator privat ekonomik, qoftë institucion shtetëror nëse do të ndodhë, që shkel masat e mbrojtjes nga zhurma. Krahas dënimit me gjobë, në varësi të dëmit që shkakton zhurma, mund të vendoset edhe mbyllja e përkohshme apo e përhershme e veprimtarisë ekonomike, sipas ligjit”.
Policia e Shtetit, vijoi Balla, duhet të kryejë menjëherë inspektime të shtuara për identifikimin e rasteve të përdorimit të paligjshëm të artikujve piroteknikë nga qytetarët.
“Ligji është shumë i qartë, ligji ka përcaktuar një afat vetëm 15-ditor për tregtimin e pjesës më të madhe të fishekzjarrëve, të materialeve piroteknike, vetëm nga 15 dhjetori deri në 1 janar. Dhe po ligji thotë që lejohet përdorimi i tyre nga data 27 dhjetor deri në 1 janar.
Dhe ligji tashmë feston 3-vjetorin e miratimit të vet dhe në këto 3 vite asgjë nuk është bërë për zbatimin e këtij ligji”, theksoi Bala duke shtuar se Policia e Shtetit duhet të intensifikojë numrin e kontrolleve tek operatorët ekonomikë për verifikimin e kushteve të sigurisë gjatë tregtimit, por edhe të verifikimit të tregtimit jashtë periudhës së lejuar nga ligji.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “gjatë hartimit të këtij udhëzimi MSHMS reflektoi vlerat dhe kufijtë e lejueshëm të zhurmave të përcaktuara nga OBSH. Pas ndotjes së ajrit, zhurma në mjedise renditet e dyta si shkaktare e një sërë sëmundjesh në shëndetin e qytetarëve”.
“Qëndrojmë të angazhuar maksimalisht në këtë nismë të përbashkët për të minimizuar shqetësimet që vijnë nga zhurmat, të cilat ndikojnë në shëndetin e të gjithëve, te fëmijët dhe të rriturit, me qëllim krijimin e kushteve për një bashkëjetesë më të shëndetshme”, tha Koçiu.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se “ky udhëzues ndan qartë kompetencat mes organeve zbatuese të ligjit si Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Inspektoriati i Shëndetit Publik;Përcakton detyrimin e miratimit të hartave të zhurmave nga secila bashki; ngarkon Policinë e Shtetit të vendosë masa administrative, në rast se shkelja përbën kundërvajtje administrative, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Administrative”.
Kumbaro tha se “përveçse synon ta kthejë Shqipërinë një vend që plotëson standardet evropiane për administrimin e zhurmës ky ligj rregullon bashkëjetesën brenda territorit tonë që me flukset turistike të larta i paraprin një sezoni më të sigurt dhe më intensiv veror siç sugjerojnë 35% më shumë kontrata turizmi për vitin e ardhshëm”.///

Ceremonia e nënshkrimit të “Udhëzimit të përbashkët” mes MB, MTM dhe MSHMS; Fotot: Agim Dobi
ME SHUME LAJME
Media italiane “TgYou24”: Mes plazheve dhe trashëgimisë kulturore, Shqipëria në krye të tendencave turistike
Himara mes destinacioneve më të kërkuara nga britanikët për verën e 2026-ës
48-vjeçari shqiptar arratiset nga burgu Koridhalos në Athinë