Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur ndëprerjen e procesit të rivlerësimit për gjyqtaren e Sarandës, Enkeleda Doda, si dhe ndalimin e riemërimit të saj në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme, pasi u dorëhoq kur u përballë me barrën e provës për pasurinë.
Në vendimin e zbardhur të KPK shpjegohet se hetimi administrativ për gjyqtaren Doda kishte nisur në dhjetor të vitit 2019. Në shtator 2020, trupi gjykues i përbërë nga Pamela Qirko kryesuese, Brunilda Bekteshi relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar, ka vendosur mbylljen e hetimit kryesisht gjyqtaren Enkeleda Doda dhe kalimin e barrës së provës vetëm për kriterin e pasurisë.
KPK e ka njoftuar Dodën për këtë vendim dhe i ka kërkuar që të paraqesë shpjegime dhe prova lidhur me gjetjet e hetimit administrativ. Në vendim thuhet se Doda nuk është paraqitur për të ushtruar të drejtën e saj për t’u njohur me dokumentet, por ka kërkuar shtyrjen e afatit, kërkesë që është pranuar nga Komisioni.
Më datë 1 tetor, Doda ka njoftuar Komisionin se më datë 14 shtator i kishte paraqitur Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ kërkesë për heqje dorë nga statusi i magjistratit.
Komisioni është njohur me vendimin e KLGJ-së të datës datë 24 shtator, lidhur me deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për gjyqtaren Enkeleda Doda dhe prej verifikimeve të kryera ka rezultuar se subjekti nuk kishte kryer ankim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Komisioni i ka dërguar njoftim gjyqtares Doda se kishte të drejtën për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, por që është refuzuar prej subjektit të rivlerësimit, e cila ka shprehur qëndrimin se nuk dëshironte të dëgjohej.
Bazuar në këto rrethana, KPK ka vendosur ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për gjyqtaren e Sarandës Enkeleda Doda dhe ndalimin e riemërimit të saj si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli; anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë; Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare. /BIRN///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI