Rritja e vazhdueshme e interesit për Himarën si destinacion turistik po shoqërohet me investime dhe masa të reja për përmirësimin e shërbimeve dhe menaxhimin e sezonit veror.
Bashkia Himarë ka ndërmarrë një sërë nismash që synojnë garantimin e pastërtisë, zgjerimin e hapësirave publike, rritjen e aksesueshmërisë në plazhe dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm.
Në një intervistë për ATSH-në, kryetari i bashkisë Himarë, Vangjel Tavo ndalet tek ecuria e sezonit, risitë e këtij viti dhe vizioni për zhvillimin e një destinacioni turistik gjithëvjetor.
“Edhe këtë sezon Himara po përjeton një rritje të ndjeshme të fluksit të vizitorëve. Kjo është një shenjë se destinacioni ynë vazhdon të forcojë pozicionin si një nga pikat më të preferuara të turizmit në Shqipëri”, tha Tavo.
Kryebashkiaku Tavo theksoi se “përballë këtij fluksi kemi marrë një sërë masash konkrete. Në bashkëpunim me institucionet qendrore kemi organizuar një plan të përbashkët për menaxhimin e sezonit, me fokus pastrimin, administrimin e hapësirave publike, monitorimin e plazheve dhe garantimin e shërbimeve për qytetarët dhe turistët”.
Sipas tij, ekipet e bashkisë janë në terren gjatë gjithë ditës, ndërsa mbetjet tërhiqen disa herë në ditë për të shmangur çdo grumbullim gjatë periudhave të pikut.
Paralelisht në bashkinë e Himarës vijon monitorimi i vazhdueshëm i territorit dhe zbatimi i masave ndaj çdo subjekti apo individi që cenon pastërtinë dhe mjedisin.
“Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe hapësirave publike të plazheve. Këtë vit kemi ruajtur dhe zgjeruar sipërfaqet publike, duke garantuar akses të lirë për pushuesit dhe duke forcuar monitorimin për të shmangur çdo abuzim”, theksoi Tavo.
Sa i përket çmimeve, Tavo bën të ditur se “kemi zhvilluar një dialog të vazhdueshëm me operatorët turistikë që të ruhet një raport sa më i drejtë midis çmimit dhe cilësisë së shërbimit. Sot konkurrenca është shumë e fortë dhe turistët janë gjithnjë e më kërkues. Pikërisht për këtë arsye besojmë se cilësia, korrektësia dhe transparenca janë garancia më e mirë për një sezon të suksesshëm dhe për kthimin e turistëve edhe në vitet e ardhshme”.
Duke folur për risitë e këtij sezoni, kryebashkiaku i Himarës theksoi se objektivi nuk është vetëm rritja e numrit të turistëve, por ofrimi i një eksperience më cilësore dhe gjithëpërfshirëse.
“Një nga risitë më të rëndësishme të këtij sezoni është vendosja e rampës ekologjike “Deti pa Barriera”, një investim që u mundëson edhe personave me aftësi të kufizuara të kenë akses të sigurt dhe dinjitoz në det”, tha Tavo.
Për kryebashkiakun Tavo ky është një standard i ri për turizmin gjithëpërfshirës në Himarë dhe një mesazh i qartë se plazhet duhet të jenë të aksesueshme për të gjithë.
Krahas kësaj, bashkia ka vijuar zgjerimin dhe organizimin më të mirë të hapësirave publike në plazhe, duke ruajtur modelin e çadrave falas në zonat publike dhe duke shtuar monitorimin për përdorimin korrekt të tyre.
Tavo thekson se një tjetër element i rëndësishëm është kalendari i pasur i aktiviteteve kulturore, artistike dhe sportive që organizohen gjatë gjithë sezonit.
“Synimi ynë është që vizitorët të mos e njohin Himarën vetëm për detin, por edhe për historinë, kulturën, gastronominë dhe traditat e saj. Paralelisht po promovojmë gjithnjë e më shumë edhe zonat e brendshme të bashkisë, duke i lidhur ato me agroturizmin, produktet vendase, shtigjet natyrore dhe turizmin e aventurës”, tha Tavo.
Tavo u shpreh se “kjo është pjesë e vizionit tonë strategjik për ta shndërruar Himarën në një destinacion turistik 12-mujor, ku zhvillimi të mos kufizohet vetëm në sezonin veror, por të krijojë aktivitet ekonomik dhe punësim gjatë gjithë vitit”.
Kryebashkiaku Tavo thekson se risia më e madhe nuk lidhet vetëm me investimet apo aktivitetet e reja, por me mënyrën e menaxhimit të destinacionit, përmes një koordinimi më të mirë ndërinstitucional, rritjes së aksesueshmërisë, mbrojtjes së mjedisit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve, me synimin për ta bërë Himarën një destinacion gjithnjë e më konkurrues dhe të qëndrueshëm.
“Ky është modeli i turizmit që duam të ndërtojmë për Himarën”, tha Tavo. (Klodi SARAÇINI)///








/k.
ME SHUME LAJME
Protesta e 42-të për Zvërnecin para Kryeministrisë
Koncerti i Kanye West, Rama: Investim të shkëlqyer për imazhin e Shqipërisë turistike, impakt pozitiv në ekonomi
Koncerti në Tiranë, Rama priti reperin amerikan Kanye West