SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Info PLUS. “Besa – një fjalë nderi”, dokumentar për kodin e shqiptarëve që i mëson botës të jetojë në paqe

 “Besa – një fjalë nderi” është titulli i dokumentarit që u transmetua mbrëmjen e djeshme në televizionin publik izraelit Makan, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokasustit.

Dokumentari është xhiruar përgjatë vitit 2024 me iniciativë të mësuesit, Murad Awdallah, i cili me përkushtim të dalluar promovon tek të rinjtë bashkëjetesën fetare.

Filmi dokumentar i përqendruar te Murad Awadla, i cili është përgjegjës për fushën arabe në Muzeun Yad Vashem, nis një udhëtim që synon t’u mësojë së bashku hebrenjve dhe arabëve të rinj se si shqiptarët shpëtuan të paktën 2,000 hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ambasada e Shqipërisë në Izrael bën të ditur se ky dokumentar ka në qendër një grup të rinjsh izraelit me përkatësi fetare të ndryshme, por me një kërkim të përbashkët: të kuptojnë besën shqiptare – këtë thesar shpirtëror falë të cilit në kohët më të errëta të Holokaustit, u bë shpëtimi i mijëra njerëzve.

“Sot, kur bota shpesh duket e trazuar dhe e ndarë, kemi më shumë se kurrë nevojë të rikthehemi te vlerat e thella njerëzore: respekti, toleranca, dhe dashuria për tjetrin. T’ua mësojmë fëmijëve jo vetëm me fjalë, por me shembull. Sepse ne, shqiptarët, mbajmë brenda nesh një trashëgimi të rrallë – besën. Dhe në çdo shqiptar të besës, jeton një copëz drite për botën”.

Pjesë e këtij dokumentari ishte edhe ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe së bashku me disa prej përfaqësues të familjeve shqiptare që shpëtuan hebrenjtë përgjatë luftës së dytë botërore dhe përfaqësuesja e komunitetit shqiptaro-hebraik në Izrael, Felicita Jakoel. (Almarina GEGVATAJ)///

error: