Më 16 qershor 1943, u festua dasma midis tetëmbëdhjetëvjeçares Oona O’Neill dhe Charlie Chaplin, atëherë pesëdhjetë e katër vjeç.
Ishte martesa e katërt shumë e përfolur e Charlie Chaplin. Ai la pas tre gra dhe tre fëmijë dhe filloi nga e para pranë kësaj vajze të re, të takuar rastësisht ose gabimisht, për të cilën të gjithë mendonin se ishte tepër vonë.
Aktori në atë kohë ishte i famshëm në industrinë e filmit për karakterin e tij despotik, tiranik dhe koprrac dhe për shpërthimet e tij të shpeshta të zemërimit, një burrë i paepur, kështu e përshkruanin, vetëm një shenjtor do të ishte martuar me të.
Oona O’Neill kishte pamjen e një shenjtoreje, me atë fytyrë engjëllore, të pafajshme dhe me sa duket edhe karakterin, derisa qëndroi pranë Charlie Chaplin, për më shumë se tridhjetë e katër vjet, deri në vdekjen e tij, dhe i dha atij tetë fëmijë.
Nju Jork, 1941.
Kur gjashtëmbëdhjetë vjeçarja Oona O’Neill hynte në një dhomë, të gjithë mbeteshin pa frymë. Babai i saj është dramaturgu Eugene, që ka fituar Çmimin Nobel për letërsi. Kjo nuk e bën atë një baba të mirë. Oona u braktis në moshën tre vjeç.
Si adoleshente, vajza, pasi mbaron detyrat e shtëpisë, ndjek jetën e natës së Nju Jorkut. Ajo është një vizitore e rregullt në Stork Club, një vend i frekuentuar nga aktorë, politikanë dhe princa.
Shpesh e fotografuar nga paparacët, Oona bëhet një personazh i famshëm, ajo do të bëhet edhe më e famshme në vitin 1942, kur zgjidhet “debutantja e vitit”.
Në verën e vitit 1941, Jerome D. Salinger takon Oonën dhe menjëherë humbet mendjen pas saj. Salinger dhe Oona fillojnë të frekuentohen dhe krijojnë një çift të qëndrueshëm. Ai ishte një burrë me pamje tërheqëse, gjithë sharm, ajo ishte një bukuri klasike, e talentuar me një hir të jashtëzakonshëm”.
Salinger, një shkrimtar në kërkim të fatit, më 27 prill 1942, në moshën 23 vjeç, hyn në Fort Dix dhe më në fund caktohet në Korpusin e Kundërzbulimit të Divizionit të Katërt. Lufta do të jetë shumë e vështirë për të.
Ai do të zbarkojë në Normandi më 6 qershor 1944, do të marrë pjesë në Betejën e Bulge, do të jetë ndër të parët që do të hyjë në kampin e përqendrimit në Dachau, do të qëndrojë në Gjermani deri në vitin 1946 për të ndjekur kriminelët nazistë.
Gjatë mungesës së tij, Salinger i dërgon Oonas male me letra, ndonjëherë katërmbëdhjetë faqe të gjata.
Drejt fundit të vitit, Oona zhvendoset në Hollywood për të provuar, me pak bindje, një karrierë si aktore. Takimi i parë është vendimtar. Charlie Chaplin në fakt ka një rol të përshtatshëm për një vajzë të re dhe agjenti i Oonas organizon takimin e tyre. Është dashuri me shikim të parë, edhe pse regjisori është shumë i vjetër për të, mbi pesëdhjetë vjeç.
Oona ndalon së përgjigjuri letrave të Salinger. Shkrimtari nuk e kupton. Derisa, në qershor të vitit 1943, një lajm shfaqet në faqet e para të gazetave të botës: Charlie Chaplin është martuar me një tetëmbëdhjetëvjeçare, Oona O’Neill.
Në vitin 1952, ndërsa çifti është në Londër për premierën e Limelight, Chaplinit i thuhet se mund të kthehet në Shtetet e Bashkuara vetëm pasi t’i përgjigjet një hetimi mbi idetë e tij politike dhe morale: i dyshuar për mbështetje të ideve komuniste, Chaplin refuzon ti nënshtrohet ndaj çdo lloj hetimi dhe heq dorë nga shtetësia amerikane, duke marrë shtetësinë britanike për vete dhe të gjithë familjen e tij.
Të dy do të zhvendosen më pas në Zvicër, në një vilë të shkëlqyer pranë Liqenit të Gjenevës, ku do të jetojnë deri në vdekjen e Chaplin, që ndodhi në ditën e Krishtlindjeve të vitit 1977.
Ai është 88 vjeç dhe Oona është 53 vjeçe.
Oona jetoi edhe për 14 vjet të tjera, dhe vdiq në vitin 1991, nga pankreasi…
(Përktheu dhe solli për faqen Na Ishte Dikur: Fatmir Shqarri…) /sarandaNews.al///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade