“Kalorësi i Babunjës”, skulptura 2600-vjeçare e zbuluar pranë Apolonisë (Fier) është ekspozuar në Muzeun e Historisë Natyrore të Vjenës, ku do të qëndrojë deri më 31 korrik.
“Kalorësi i Babunjës” është një statujë e jashtëzakonshme prej bronzi që paraqet një kalorës të armatosur mbi kalë. Kjo është hera e parë që kjo vepër unike shfaqet para komunitetit shkencor austriak dhe studiuesve ndërkombëtarë, në një nga muzetë më të rëndësishëm në botë.
“Kalorësi i Babunjës” do të qëndrojë pranë Venusit të famshëm të Willendorf-it. Prezantimi i këtij zbulimi të jashtëzakonshëm të arkeologjisë u ideua dhe u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeu i Historisë Natyrore në Vjenë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e Muzeut të Historisë Natyrore të Vjenës, prof. Katrin Vohland, tha se ekspozita e veçantë “Kalorësi i Babunjës”, përbën një tjetër moment të rëndësishëm në bashkëpunimin mbi 100-vjeçar midis Shqipërisë dhe Austrisë në fushën e kulturës dhe të kërkimit shkencor. Që nga punimet e hershme në fushën e arkeologjisë në Shqipëri nga Camilo Praschniker-i dhe Arnold Schober-i, të publikuara në vitin 1919 dhe që vazhdojnë të jenë themelore edhe sot, janë realizuar një sërë projektesh të përbashkëta arkeologjike dhe kulturore-historike, si ekspozita dhe gërmime.
Në fjalën e tij, Fate Velaj, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri, tha se çdo zbulim arkeologjik përfaqëson një ngjarje të rëndësishme në jetën shkencore dhe shoqërore, duke pasuruar njëkohësisht trashëgiminë kulturore dhe historinë e një vendi.
“Kalorësi i Babunjës” u zbulua në vitin 2018 në qytetin e lashtë ilir Arnisa në fshatin Babunjë pranë Apolonisë së lashtë, si pjesë e kërkimeve shqiptaro-gjermane.( Edlira Ruzi)///

ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI