SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Info PLUS. Krishtlindja tek arbëreshët, nga festa tek gatimet dhe liturgjia në dy gjuhë

Komuniteti arbëresh në Itali, ashtu siç ka ruajtur gjuhën për më tepër se 500 vjet, ka ruajtur edhe traditat e zakonet, sa i përket festave tradicionale dhe atyre fetare.

Krishtlindja, për këtë komunitet të krishterësh, është një nga festat më të rëndësishme të vitit.

Lucia Martino, një aktiviste e komunitetit arbëresh, shkrimtare dhe promovuese e e kuzhinës arbëreshe në botë, rrëfeu për ATSH-në traditën e pritjes së Krishtlindjes nga ky komunitet.

“Për ne Krishtlindja është një festë shumë e rëndësishme. Fillimisht bëjmë pemën, skenën e lindjes së Krishtit me grazhdin. Me këtë rast komuniteti merr pjesë në lutjet e përsëritura 9-ditore, (le novene) përmes të cilave i kërkohet Zotit të të plotësojë një dëshirë. Krishtlindja është edhe një rast për t’u lidhur më shumë mes arbëreshëve”, thote Lucia.

Këto ditë që i paraprijnë festës, këndohen këngët për Krishtin e sapolindur, në mënyrë rigoroze vetëm në gjuhën arbëreshe. Duke filluar nga data 23 dhjetor, veçanërisht në familjet e mëdha, njerëzit mblidhen për të përgatitur ëmbëlsirat e Krishtlindjes (scalette, crustuli etj). Lucia rrëfen se, kryesisht, ëmbëlsirat e Krishtlindjes përgatiten përmes skuqjes në vaj, ndërsa ato të Pashkës piqen në furrë.

“Natën që i paraprin Krishtlindjes, përgatitet tryeza duke u bazuar tek tradita, sipas të cilës duhen ngrënë 7 asortimente të ndryshme. Në këtë natë, gjithçka duhet të jetë pa mish. Dikur përgatiteshin spagetit me thërrmija buke dhe açuge, një kuzhinë e varfër por plot shije, e cila ndiqet edhe sot e kësaj dite”, shpjegon Lucia Martino e cila është mjeshtre e gastronomisë arbëreshe dhe ka shkruar disa libra në mënyrë që kultura e gatimit arbëresh të mos humbasë.

Një pjatë që nuk mungon në vigjilje të festës, është merluci i tharë (baccala’), gjithashtu rrepka, brokoli dhe peshq të vegjël të fërguar, por jo të kushtueshëm, duke bërë një lidhje me familjen e Nazaretit dhe Krishtin që lindi në varfëri. Gjithashtu vihen në tavolinë edhe ëmbëlsirat të cilat do të shoqërojnë të gjithë periudhën festive.

“Në familjen time, për Krishtlindje nuk kanë munguar kurrë petullat, të cilat i keni edhe ju”, rrëfen Lucia Martino. Më tej, ajo vijon me ëmbëlsirën tipike që hahet në vigjilje dhe quhet giuggiulena (ëmbëlsira të ngjashme me karamelet me fara susami, bajame e mjaltë).

Ndërkohë dreka e Krishtlindjes përgatitet me makarona shtëpie, kec me patate në furrë, fruta dhe ëmbëlsirat që ishin përgatitur më herët. Ndërsa panettone ka hyrë më vonë në traditën e tryezës arbëreshe.

E pyetur mbi besimin fetar, Lucia tregon se, arbëreshët janë katolikë, në kuptimin që varen nga papa. “Por ne ndjekim ritin bizantin dhe Eparkia jonë e Ungrës (Eparchia di Lungro) është njohur që në vitin 1919. Ne kremtojmë me liturgjinë tonë në gjuhën arbëreshe ose greqisht”, thotë Lucia Martino.

Në fakt, më shumë se 1 shekull më parë, Vatikani i kushtoi vëmendje më të madhe situatës së besimtarëve të ritit bizantin për shkak të kërkesave të tyre të vazhdueshme për emërimin e një peshkopi në Kalabri dhe një tjetër në Siçili, me kompetenca të plota territoriale. (Edlira RUZI).///

Lucia Martino – Aktiviste e komunitetit arbëresh
error: