Nga Blerim KORE
GJIROKASTËR, 4 korrik/ATSH/ Përgjatë sezonit turistik të verës, Muzeu i Luftës së Ftohtë në Gjirokastër po tërheq vëmendjen e turistëve, ndërsa prej fillimit të vitit janë rreth 1 mijë turistë vendas dhe të huaj, të cilët kanë vizituar mjediset e tij.
Muzeu funksionon në një ish-vendstrehim luftarak të ndërtuar prej betoni, gjatë periudhës së komunizmit. Duke qenë se ndodhet pranë Pazarit karakteristik, i cili është edhe zona më e vizituar nga turistët, Muzeu i Luftës së Ftohtë ka pasuruar dhe e ka bërë më tërheqës udhëtimin e vizitorëve në Gjirokastër.

Muzeu – simbol i Luftës së Ftohtë
Grupet turistike të huaja që mbërrijnë në Gjirokastër, porsa marrin informacionin e nevojshëm për Muzeun e Luftës së Ftohtë, preferojnë të nxitojnë për ta parë nga afër. Muzeu funksionon në vendstrehimin luftarak prej betoni, që u ndërtua në fillim të viteve 1970. Tuneli, i cili përshkon pjesën e poshtme të shkëmbinjve, mbi të cilët ngrihet kalaja e qytetit, është i gjatë rreth 800 metra. Në mjediset e brendshme të tij janë ndërtuar një sërë aksesorësh, të cilët do të shërbenin për akomodimin e ish-udhëheqjes komuniste lokale të atyre viteve në rast të një sulmi eventual nga jashtë. Vendstrehimi përbëhet prej 80 dhomash, salla mbledhjesh, ambiente pune, pushimi, madje pjesë e tij është edhe një depo për furnizimin me ujë të pijshëm, centrali elektrik etj.
Vizitorë në muze
Duket se vizitorët e huaj vazhdon t’i tërheqë kurioziteti dhe kërshëria për të parë nga afër këtë “qytezë” nëntokësore, e gjitha me beton, e ndërtuar për të përballuar kontradiktat e Luftës së Ftohtë. Tashmë të gjitha këto mjedise të derdhura në beton, po tërheqin grupet turistike që vizitojnë qytetin e gurtë.

“Me thënë të drejtën vizitën në këtë vend na e sugjeroi shoqëruesi ynë turistik”, thotë për ATSH-në Sara, një vizitore nga Gjermania.
Ndërsa ngjit shkallët e gurta që të çojnë në Muzeun e Luftës së Ftohtë, ajo flet me kuriozitet dhe kërshëri për objekte të tilla.
“Mendoj se njohja nga afër e këtyre objekteve, është diçka interesante jo vetëm për të shuar disi kuriozitetin, por për të parë nga afër edhe efektet që shkaktoi Lufta e Ftohtë”. Ndërkohë pasi ka arritur në krye të shkallareve të gurta që të çojnë në vendstrehimin e dikurshëm luftarak, vizitorja e huaj fillon të shkrepë blicin e aparatit fotografik për të fiksuar konturet e betonta në hyrje të tunelit. Falë sistemit të ndriçimit bashkëkohor që funksionon në muze, turistët përshkojnë korridorin prej betoni, i cili të çon në “zemër” të ish-vendstrehimit luftarak.
“Me të vërtetë interesante, diçka tërheqëse”, pohojnë turistët, ndërkohë që nuk reshtin së shkrepuri aparatet fotografike. Duket se historiku i këtij ish- vendstrehimi luftarak, i gërshetuar me gjithë historinë e Luftës së Ftohtë krahas informacionit historik shërben edhe si një element atraktiv turistik.

Ndërkohë që përshkojnë hyrjen e tunelit të betontë, vizitorët e huaj kundrojnë me kërshëri çdo element të vendstrehimit, i cili gjatë Luftës së Ftohtë do të shërbente si ambient pune për ish-udhëheqjen komuniste lokale në Gjirokastër. Dhe gjatë bisedave me njëri-tjetrin ata nuk harrojnë të sjellin edhe shembuj të tjerë kur objekte të tilla kanë tërhequr interesimin e vizitorëve duke shërbyer si qendra të rëndësishme për nxitjen e turizmit në zonat ku ishin ndërtuar.
Muzeu, një atraksion më shumë për turistët
Ky muze tashmë është një atraksion më shumë për turistët, të cilët vizitojnë qytetin e Gjirokastrës. Ciceronët e muzeut shprehen se vizitorët, kryesisht ata të huaj, i tërheq historia e ish-vendstrehimit të ndërtuar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.
“Turistët nga shtetet e ndryshme janë të interesuar për mënyrën e ndërtimit të muzeut si dhe historikun e tij në vite”, shprehen guidat turistike. Tashmë vlerave arkitektonike të Gjirokastrës, aq të vizituara nga turistët, i shtohen edhe elementet historikë, siç është periudha e Luftës së Ftohtë. Një fakt i tillë zgjeron hartën e vizitueshmërisë së qytetit të gurtë, duke pasuruar guidat e udhëtimeve për turistët.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI