SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Kandidati Ardit Cikuli: Fjala ime , ëndrra ime , misioni im !

(Fjala e plotë në prezantimin zyrtar në prani të kreut te Rithemelimit, Berisha dhe kryetarit te PL, Meta)

-Të nderuar bashkëqytetarë! Mirë se keni ardhur ne këtë prezantim .

Ndihem i privilegjuar qe nëpërmjet votës kam fituar statusin dhe mundesinë që të jem përfaqësuesi juaj në këtë sfidë për ta patur Sarandën,Ksamilin, Gjashtën, Metoqin,Shelegarin, Cuken,Berdeneshin dhe Manastirin në duart tuaja! Shumë fushata elektorale keni jetuar, shumë kandidat keni dëgjuar, shumë herë jeni zhgënjyer; njësoj si ju edhe unë.

Sot nuk jam këtu për tu folur për ata, për të shkuarën, për modelin e kryetarëve që gjithmonë na janë sjellë nga Tirana e që çdo herë pasi kanë mbushur trastat kanë ikur prapë në Tiranë. Unë Ardit Cikuli, djali i Gjolekës dhe Teutës, mësues të jetës time, por dhe të mijëra emijëra bijëve e bijave të krahinës tonë jam sot këtu për tu folur për rrugëtimin tonë për një ëndërr që do ta bëjmë realitet. Unë Ardit Cikuli, bashkëshorti i doktoreshë Jonidës me të cilën vendosëm ta ndërtojmë jetën tone t’i lindim e rrisim fëmijët tanë në Sarandën tonë të bukur. Jam sot këtu tu flas për vlerat që përfaqësoj e të cilat ua ofroj si garanci të besimit tuaj për të drejtuar Sarandën.

Jam Sot këtu t’i flas zemrës tuaj, t’i flas ndërgjegjes tuaj,t’i flas ëndrrave tona. Jam Sot këtu për t’i folur njerëzve të mi,qytetit tim, familjes tonë të përbashkët. Puna ka qenë dita ime , korrektësia ka qenë motivi im, dinjiteti ka qenë rruga ime. E për këtë kam dëshmitar secilin nga ju, secilin nga ata që jeta i ka lidhur me mua apo familjen time. Edhe nëse nuk më besoni mua, ju lutem peshoni faktet.

Besimin tuaj unë dhe familja ime o e kemi fituar në këto dekada bashkëjetese me ju o nuk mund ta fitojmë për 30 ditë fushatë. Faktet duhet të bëjnë diferencën; Saranda është qyteti im, qyteti ku unë zgjohem në mëngjes e ku puth në mbrëmje ballin e tim biri tek i këndoj ninullat tona të bukura;

Saranda është vendi ku unë punoj, vendi ku fjalët i kthej në vepra duke krijuar një model unik në republikë të financimit të bizneseve vendore për hapjen e vendeve të punës. Saranda është kujtesa ime historike, me Sarandën më lidh çdo gjë, më lidh çdo rrugicë, çdo shkëmb, çdo oborr, çdo gëzim e hidhërim.

Saranda për mua është çdo kujtim,çdo shkallë, me Saranden më lidh çdo gjemb që ngulej në duart e mija nga iriqat e detit ne plazhet e Ksamilit, më lidh shija e pefkave që mblidhnim poshtë pishave te rruga e limionit,më lidh shija e hurmave që merrnim në Vrion, më lidh aroma e rrushit amerikan që merrnim pa leje në lagjen amerikane, më lidh plazhi centralit,më lidh shija e patlave që mblidhnim buzë shkëmbinjëve te Kampi Pushimit, më lidh shija e akulloreve te Caci, më lidh trampolina e vogël,trampolina e madhe,më lidh aroma e meneksheve në lulishtet e qytetit, më lidhin pllakat ku laheshim e luanim tavëll,më lidh plazhi i ri,më lidh banga e shkollës në “Adem Sheme”, klasa ime te shkolla e mesme “Antoni Athanas”, më lidhin ditëlindjet e shokëve, shoqeve të shkollës, më lidh çdo qelizë e jetës time.

Unë jam Ardit Cikuli, djali juaj; diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Shkenca Ekonomike ne Universitetin e Pireut, Greqi dhe Financa Bankare në Tiranë Prej 12 vitesh kam drejtuar institucione financiare pranë qytetit te Sarandës me korrektësi, dhe me te njëjten korrektësi do të drejtoj nesër edhe bashkinë Sarandë . Jam njeriu me të cilin ndani rrugët tuaja përditë.

Jam djali që u them mirëmëngjes e natën e mirë. Unë jam një nga ju. Ju e dini që unë nuk jam i katapultuar, unë nuk jam kukull, ju e keni të provuar që unë as korruptoj e as korruptohem. Ata që kanë dyshime të flasin me këdo ka pasur mardhënie jete dhe pune me mua. Unë dhe futjen në politikë e bëra me garë, unë jam rezultat i Primareve, unë jam njeri që më ka bërë puna dhe jo shefat , unë jam një mundësi që fëmijët tuaj të gjejnë hapësirë për rrugën e tyre pa i penguar kush. Përballë meje e dini vetë ju kush është, si ka ardhur, dhe sa lidhje ka me Sarandën.

Për Sarandën do bëjmë atë që të gjithë e dimë se duhet bërë. Do vendosim në sistem meritokracinë.

Vendi punës në Bashki do të fitohet me konkurs. Do ndërtojmë parkingje nëntokësor mundësisht në 4 lagje të qytetit dhe mundësisht edhe parkim qëndror në Ksamil me fokus kryesor zonat ku ka mbingarkesë për shkak të turizmit. Do ndërtojmë lulishte dhe kënde lojrash në çdo lagje në gjithë territorin e Bashkisë Sarandë .

Zotim imi para jush është ndërtimi i kapaciteteve të plota për çerdhet, kopshtet dhe shkollat.

Çdo qytetar do të ketë akses në plazh publik.

Do marrim nën kontroll pastrimin e qytetit duke krijuar kompani me pronësi të Bashkisë Sarandë 100% , duke i dhënë fund abuzimit. Zotimi im është se në fund të mandatit të parë Saranda do jetë qyteti më i pastër në Republikë. Cdo cm e territorit te Bashkise Sarandë do të preket nga investime reale infrastukturë, shkallare, ndricim dhe gjelberim. Do hapim qendër multifunksionale për të rinjtë ku çdo i ri mund të zhvillojë talentin e vetë.

Do ndërtojmë stacionin modern të transportit urban. Do të kemi transport publik në cdo lagje të qytetit.

Do të imponojme sinergji midis bizneseve lokale dhe institucioneve arsimdhënëse sic janë Universiteti Tiranë(Filiali Sarandë) dhe Shkolla e Mesme Profesionale Antoni Athanas në mënyre që ato të suportohen edhe nga bizneset lokale dhe të transformohen në fabrika prodhimi stafi dhe menaxheresh për biznesin lokal.

Bursa dinjitoze për gjithë nxënësit dhe studentet ekselentë. Diversifikim të taksave bashkiake dhe ulje të tyre në pjesën më të madhe duke patur në princip taksat e drejta për këdo. Bizneset e reja nuk do te paguajnë taksa për 1 vit dhe do të kenë promovim marketing për 1 vit nga Bashkia Sarandë. Do të lobojmë fortë të rrisim eficencën ekonomike të qytetit duke zgjatur sezonin turistik nëpermjet promovimit të vlerave tona turistike, natyrore,kulturore,artistike në të gjithë panairet më të rëndësishëm botëror .

Do të vëme në eficencë të gjitha binjakëzimet që Bashkia Sarandë ka kryer ndër vite dhe të kryejmë edhe binjakezime të reja që të përfitojme eksperiencë dhe zhvillim ekonomik nga bashki të tjera te cilat mund të kenë të njëjtën tipologji zhvillimore me Sarandën ose mund të kenë nevoje për resurset e Sarandës.

Emigrantet motrat dhe vëllezrit tanë do të kenë një drejtori që do të merret me problemet e tyre duke I asistuar edhe online ata. Do të risjellim kulturen, artin dhe sportin në dimesionin e merituar për Sarandën.

Do hapim Bashkinë për qytetarët, jo me bashki bunker dhe 2 ditë në javë unë si Kryetar bashkë me stafin drejtues do jemi në pritje të hapur për gjithe qytetarët. Ne do të kemi një Bashki qe do ju shërbejë të gjithëve dhe do të zgjidhë cdo problem ne kohe reale. Do ju shërbejë fëmijëve,të rinjve,familjarëve, pensionisteve, familjeve në nevojë, njerëzve me nevoja të vecanta. Do ju shërbejë bizneseve ,të vetpunësuarve, të punësuarve. Do ju shërbejë sportisteve , artistve dhe shkrimtarëve…të gjithëve.

Dua besimin tuaj të nderuar qytetarë. Bashkë mund të bëjmë realitet atë që kaq e kaq vite kemi ëndërruar!

Saranda eshte qyteti ku u rrita, qyteti ku dua te rrit fëmijtë e mi, qyteti ku pleqerohen prindrit e mi, qyteti ku dua të jetoj gjithë jetën ime. Saranda është atdhe për mua, dhe jo biznes dhe as plackë. Vota juaj për Ardit Cikulin dhe kualicionin Bashkë Fitojmë në daten 14 maj është bekim për të ardhmen e këtij qyteti.

Vota juaj në 14 maj për Ardit Cikulin dhe kualicionin Bashkë Fitojmë do të thotë se ju vendosni për ta patur Sarandën, Ksamilin , Gjashtën, Metoqin, Shelegarin, Cukën, Berdeneshin dhe Manastirin në duart tuaja pa dallim origjine , feje , partie , gjinie. SARANDA DO TË JETË NË DUART TUAJA! E PREMTOJ.Faleminderit!/sarandaNews.al///

error: