SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Kërkoi masë më të lehtë sigurie, GJKKO lë në burg Fredi Belerin

 Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka rrëzuar sot kërkesën e Fredi Belerit, Kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, i cili kishte kërkuar masë më të lehtë sigurie nga ajo e vendosur deri më tani e “Arrestit me burg”.

Trupa gjykuese Gjykatës së Posaçme e përbërë nga Erjon Çela, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj, rrëzuan këtë kërkesë të Belerit, i cili për shkak se ndodhet në qeli, që prej datë 12 maj 2023, nuk është betuar ende si kryetar i Bashkisë së Himarës e për pasojë nuk ka marrë ende detyrën. Beleri ka afat 5 ditë kohë për të ankimuar vendimin e GJKKO në Apel.

Por ndërkohë, më herët GJKKO pranoi ankimimin e Fredi Belerit kundër vendimit të SPAK, i cili vendosi mos-fillimin e procedimit penal të bërë nga kryetari i zgjedhur i Himarës, kundrejt dëshmitarit Arsen Rama. Ky i fundit akuzohet nga Beleri se ka kryer deklaratë të rreme përpara oficerit të Policisë Gjyqësore, por SPAK vendosi të mos nisi hetim, kësisoj Beleri e ankimoi vendimin e SPAK në GJKKO, ku togat e zeza i dhanë të drejtë Belerit.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e kallëzimit penal të shtetasit Dhionisios Alfred Beleri, të bërë ndaj shtetasit A.R për kryerjen e veprës penale “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”. Pas vlerësimit të kallëzimit penal të sipërcituar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 11.10.2023 vendosi: “Mos-fillimin e procedimit penal, për kallëzimin penal Nr. 211 datë 09.10.2023 të depozituar nga shtetasi Dhionisios Alfred Beleri. Ky vendim i njoftohet kallëzuesit, i cili ka të drejtën e ankimit në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja dijeni.”, njofton SPAK.

“Vendimi i mësipërm është ankimuar në Gjykatë nga kallëzuesi më datë 23.10.2023. Lidhur më shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjykata vendosi ta shqyrtoi në dhomë këshillimi pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqësore. Gjykata pasi vlerësoi kërkesën vendosi: Pranimin e ankimit të paraqitur nga shtetasi Dhionisios Alfred Beleri. Shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë “Për mosfillimin e procedimit penal që i përket kallëzimit Nr. 211 datë 09.10.2023”, datë 11.10.2023. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 10 (dhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.’- njofton GJKKO.

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023. Ai u arrestua bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi, nën akuzën se po blinte vota.///

error: