SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Kim: Grupe të paautorizuara për të mbrojtur votën e qytetarëve, e papranueshme për një vend anëtar të NATO-s

 Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, foli për mediet në fund të takimit me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, dhe ambasadorin e BE, Luigi Soreca.

“Takim shumë i mirë me ambasadoren Kim dhe ambasadorin Soreca në lidhje me përgatitjet e procesit zgjedhor të 25 prillit. I informova mbi gjithë masat që KQZ ka marrë në kuadër të këtij procesi. Theksuam së bashku rëndësinë e këtij procesi zgjedhor, të cilësisë së përgatitjes së këtij procesi nga ana e KQZ, trajtuam të gjitha aspektet përgatitore të këtij procesi për të parë qartësisht cilësinë e këtyre përgatitjeve dhe për të konfirmuar edhe njëherë nga ana ime se çfarë KQZ ka bërë në lidhje me këtë proces shkon e gjitha në interes të votuesve shqiptarë dhe të garancisë absolute të integritetit të procesit”, tha Celibashi.

Nga ana e tij, ambasadori Soreca tha se u diskutua situata me përgatitjen e zgjedhjeve të 25 prillit.

“Komisioneri na tregoi situatën deri më tani, të gjitha përgatitjet, aspektet e ndryshme përgatitore për zgjedhjet. Po ashtu na foli për përgatitjet për identifikimin biometrik, për votimin dhe numërimin elektronik. Gjerat janë pothuajse gati, dhe komisioneri ka besim se gjithçka do jetë gati ditën e zgjedhjeve. Një aspekt tjetër ka qenë dhe edukimi i votuesve, i zgjedhësve. Është një gjë që është bërë në mënyrë shumë të mirë dhe dëshirojmë në fakt që të përgëzojmë komisionerin e zyrën e tij”, tha Soreca.

Ambasadori Soreca apeloi shqiptarët që të marrin pjesë në votimet e 25 prillit.

“Apelojmë gjithë qytetarët shqiptarë të votojnë, të ushtrojnë të drejtën e tyre, sepse është e ardhmja e tyre. Këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme dhe BE po ju ndjek në të 60 bashkitë e Shqipërisë. Ajo çfarë ndodh në Tiranë dhe në Shqipëri, do jetë e rëndësishme për BE, Shqipëria është një vend kandidat. Është e rëndësishme se çfarë do të ndodhë ditën e dielë në Shqipëri”, theksoi Soreca.

Pas takimit me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, iu bëri thirrje udhëheqësve të politikës shqiptare, që të sigurojnë një proces të qetë zgjedhor më 25 prill.

“Jemi sot këtu për të falënderuar komisionerin Celibashi dhe ekipin e tij për të gjitha punët e bëra dhe veçanërisht patëm mundësi të informoheshim për përgatitjet e 25 prillit. Është e rëndësishme që kjo të jetë paqësore, të jetë një proces zgjedhor ku votuesit të kenë mundësi të shprehen me anë të votës së tyre”, tha Kim.

“Ka një një proces transparent i cili është krijuar dhe autoritetet janë të qarta për mbrojtjen e votës. Miqtë tuaj nga bashkësia ndërkombëtare janë gjithashtu këtu për t’u siguruar për këtë proces. Gjithashtu duhet theksuar fakti se ODIHR dhe ekspertët e tij janë tashmë në vend, unë do jem pjesë e njërit nga 25 ekipet e ambasadës së SHBA-së që janë përgatitur me rastin e zgjedhjeve dhe do kemi mundësi të jemi në të gjithë vendin”, vijoi Kim.

Po ashtu, ambasadorja e SHBA-së shprehu shqetësim për ngjarjen në Elbasan.

“Është e rëndësishme që shkelësit të mund të kapen që të gjithë, të ndëshkohen pa përjashtim. Nuk ka një trajtim të posaçëm apo të veçantë për askënd, sepse askush nuk është mbi ligjin. Sikurse e kanë theksuar shumë persona, zgjedhjet e 25 prillit kanë lidhje me të ardhmen, jo me të shkuarën. Gjëra të tilla të tmerrshme siç kanë ndodhur në të shkuarën, si grupe të paautorizuara për të mbrojtur votën e qytetarëve, duhet të mbeten në të shkuarën. Kjo është diçka e papranueshme për një vend që është anëtare e NATO dhe aspiron të futet në BE. Është përgjegjësi e udhëheqësve, që ndodhen në pozicionet më të larta drejtuese të vendit, të bëjnë thirrje për qetësi, të sigurohen që do të ketë qetësi dhe të mos ketë nxitje për asgjë tjetër që nuk ka lidhje me qetësinë. Ne jemi duke monitoruar të gjitha veprimet e marra nga drejtuesit e vendit. Falënderoj z. Rama dhe z. Basha, që kanë bërë thirrje për qetësi dhe që të mos pranohet dhuna, si dhe që të mund të votohet më 25 prill. Me lejoni të theksoj atë gjë që e kam thënë që kur kam ardhur në Shqipëri, dëshiroi tjiu drejtohem votuesve shqiptarë: Ju nuk jeni vetëm, ne jemi me ju”, tha ambasadorja Kim. /atsh///

error: