Me nisjen e sezonit turistik veror, qendra shëndetësore në Ksamil, që njëherësh funksionon edhe si qendër shëndetësore verore “Ksamil i Ri”, është në shërbim jovetëm të banorëve të zonës 24 orë në 7 ditë të javës, por edhe të pushuesve vendas dhe të huaj, duke garantuar shërbim të shpejtë dhe profesional.
Qendra Shëndetësore Ksamil është pjesë e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Sarandë (NJVKSH Sarandë) e cila mbulon territorin e bashkisë Sarandë dhe bashkisë Konispol.
OSHKSH bën me dije për ATSH-në, se gjatë sezonit turistik, për shkak të fluksit të lartë të pushuesve, në mënyrë të përkohshme shtohen 3 mjekë dhe 6 infermierë, të cilët ofrojnë shërbim në këtë qendër kryesore, që shërben edhe si qendër verore.
Në këtë njësi funksionojnë gjithsej 9 qendra shëndetësore me 60 pika ambulatore, që mbulojnë një popullatë prej 27.511 banorësh. Prej tyre, 8 janë qendra bazike dhe 1 është Qendra Socio–Shëndetësore Sarandë, e cila ofron shërbime të integruara, përfshirë edhe shërbime psikosociale.
Kjo qendër shëndetësore ofron shërbimet bazë të kujdesit shëndetësor parësor, përfshirë konsultorin e gruas dhe të fëmijës, kujdesin për të sëmurët kronikë, shërbimin për të moshuarit, shërbimin në banesë, planifikimin familjar dhe edukimin shëndetësor. Këto shërbime sigurojnë mbulim të vazhdueshëm dhe cilësor për popullsinë rezidente dhe sezonale të zonës.
Ksamili, një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në jug të vendit, mirëpret çdo vit mijëra vizitorë. Përballë këtij fluksi të shtuar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) kanë marrë masat e nevojshme për të siguruar mbulim të plotë me shërbime mjekësore, duke vënë në dispozicion personel të kualifikuar dhe infrastrukturën e nevojshme për përballimin e rasteve që kërkojnë asistencë shëndetësore.
Qendra Shëndetësore Ksamil, njëherësh QSHV “Ksamil i Ri” mbulon një popullsi prej 2,731 banorësh rezidentë, ndërsa gjatë sezonit veror përballet me një fluks të konsiderueshëm pushuesish vendas e të huaj.
Funksionimi i qendrës dhe shtimi i stafit gjatë sezonit turistik kanë rezultuar thelbësorë për sigurimin e aksesit të menjëhershëm në kujdes shëndetësor dhe për përballimin e rritjes së fluksit të vizitorëve, duke kontribuar në rritjen e sigurisë dhe cilësisë së shërbimit në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të vendit.
Këtë vit do të ofrohet shërbim shëndetësor në 36 Qendra Shëndetësore Verore në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug dhe të gjitha qendrat janë të pajisura me barna dhe pajisjet mjekësore të nevojshme jetëshpëtuese. (Ermira ISUFAJ)///






ME SHUME LAJME
Vëzhgim.”Pika e vogël” e Kumbaros edhe në vëmendjen e medias sociale të fqinjëve
“Le Figaro”: Shqipëria kryeson preferencat e turistëve francezë për pushimet verore
Historia nuk jep “waiver”