Nga Vangjel AGORA
Është momenti të kujtojmë edhe muzikantin e talentuar delvinjot, Myrteza Leka, i ndarë nga jeta në vitet ’90, por që vazhdon të jetojë përmes melodive, kujtimeve dhe gjurmës së pashlyeshme që la në artin e jugut shqiptar.

Myrtezai ishte ai artist që për më shumë se tre dekada e gjysmë i dhuroi qytetit të Delvinës dhe artit aq shumë, sa vështirë të gjendet një tjetër si ai. Me talentin, thjeshtësinë, përkushtimin dhe shpirtin e tij krijues, ai e ngriti muzikën e Delvinës në një nivel që edhe qytete me tradita të mëdha artistike e shihnin me admirim dhe respekt.

Ai nuk ishte vetëm muzikant e kompozitor. Ishte një shpirt i lindur për artin, një udhërrëfyes i talenteve të reja dhe një njeri që dinte të ndizte tek të rinjtë dashurinë për muzikën. Shumë artistë të njohur orkestrant e këngëtar, hodhën hapat e parë nën kujdesin, këshillat dhe frymëzimin e tij.
Mbështetja e tij e palodhur në motivet dhe muzikën tradicionale të pellgut të Delvinës i dha krijimtarisë së tij një identitet të veçantë, plot shpirt, ngjyrë dhe autenticitet. Myrtezai mbetet krijuesi dhe themeluesi i sazave të Delvinës, që u bënë të njohura në të gjithë vendin dhe mbartën me dinjitet tingullin e jugut shqiptar. Në krijimtarinë e tij dëgjohej jehona e gurit të Delvinës, zëri i odave, ritmi i jetës së jugut dhe malli i ëmbël i këngës popullore.

Krijimtaria e tij ishte e gjerë dhe e larmishme: nga këngët e festivaleve të pionierëve, ku gjithmonë vlerësohej me çmime, te muzika e lehtë, pjesët instrumentale dhe orkestracionet e shumta që mbajnë vulën e mjeshtërisë së tij artistike. Ai ishte gjithmonë prezent në jetën kulturore të Sarandës dhe Delvinës, në çdo aktivitet artistik e kombëtar ku qyteti përfaqësohej me krenari.
Një kapitull të veçantë zë edhe kontributi i tij në Estradën Profesioniste të Sarandës. Me këngët e kompozuara, kupletet, pjesët e muzikuara,orkestracionet, komeditë me një akt muzikor dhe vodevilet, ai solli jo vetëm muzikë, por frymë, ritëm dhe emocion në skenë. Humori, muzika dhe ndjeshmëria artistike tek ai bashkëjetonin natyrshëm, duke krijuar një profil artisti të kompletuar.
Kam pasur fatin të bashkëpunoj disa herë me të në premierat e ndryshme të estradës dhe ruaj kujtime të çmuara nga ai njeri fisnik, i qetë, modest dhe plot dashuri për artin. Ishte nga ata njerëz që nuk flisnin shumë për veten, por linin të fliste muzika.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga ndarja e tij nga jeta, kujtimi i Myrtezait mbetet i paharruar… si një tingull i bukur që vazhdon të jehojë në shpirtin e qytetit, në meloditë e jugut dhe në zemrat e atyre që patën fatin ta njohin, ta duartrokasin dhe të ndajnë skenën me të.
Artistë si Myrteza Leka nuk largohen kurrë. Ata mbeten të gjallë në kujtesën e qytetit, në tingujt e një klarinete, në drithërimën e një kënge dhe në historinë artistike të një kohe që vazhdon të ndriçojë edhe sot.
ME SHUME LAJME
”El Pais”: Sharmi i përjetshëm i Shqipërisë turistike
Paketa e Maleve po tjetërson pronat në Sarandë, Ervin Demo i përgjigjet akuzave
Sarandë. Edlira Gjidede rimerr mandatin e Këshilltares, Zhupa: Iu hoq në mënyrë të paprecedentë, fituam betejën