SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Kumbaro në Athinë prezanton projektet e Shqipërisë për përmirësimin e cilësisë së ujërave

Nga Klodi SARAÇINI

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro është ftuar në konferencën ndërkombëtare dyditore “Oqeani ynë”, e cila po mbahet në Athinë, ku ka prezantuar modelin e Shqipërisë mbështetur tek zhvillimi i qëndrueshëm. Kumbaro ishte folëse në panelin kushtuar turizmit të qëndrueshëm dhe ekonomisë blu, së bashku me homologen greke Olga Kefalogianni dhe ministra e sipërmarrës të industrisë së turizmit.

Kumbaro u shpreh se Shqipëria është një vend që nuk ndot në nivel global dhe ka energji 100% të rinovueshme, teksa po ndërton një model të turizmit të qëndrueshëm. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit u ndal te modeli i i lumit Vjosa i mbrojtur si Park Kombëtar, ku tashmë do të nisë edhe projekti për pastrimin dhe trajtimin e ujërave të ndotur që derdhen në të.

“Lumi Vjosa, i cili nis këtu në Greqi, nga malet e Pindit, nuk është vetëm një Park Kombëtar, por një simbol i rëndësishëm, sepse Shqipëria si vend i vogël, që nuk ndot askënd, mund të krijojë modele dhe simbole. Për vendet e vogla koncepti i qëndrueshmërisë, nuk është një luks, por mënyrë jetese. Dhe sfida është: Si të mbrojmë bashkëjetesës mes natyrës, biodiversitetit dhe njerëzve? Dhe në Shqipëri, me 21.5 % të sipërfaqes së zonave të mbrojtura, njerëzit janë pjesë e ekosistemeve, prandaj ekoturizmi dhe turizmi i natyrës nuk janë thjesht mënyrë për të krijuar të ardhura, për të zhvilluar ekonomi por për t’u dhënë njerëzve që jetojnë aty prej shekujsh një mundësi për të jetuar e për të mos e braktisur atë vend. Kjo është Shqipëria me 2.8 milionë banorë që priti më shumë se 10 milionë turistë të huaj në vitin 2023 duke promovuar zonat e Mbrojtura, biodiversitetin, duke e shpërndarë turizmin në gjithë vendin. Ne nuk konkurrojmë askënd, por ndajmë të njëjtën hartë turistike ku qëndrueshmëria do të jetë flamuri ynë i përbashkët”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ajo tha se “Shqipëria e ka në fokus mbrojtjen e cilësisë së ujërave, jo vetëm me projektin e trajtimit të ujërave të ndotura që derdhen në Vjosë nga 8 bashki, por edhe me të gjitha masat që të gjitha strukturat buzë detit duhet të zbatojnë për të rritur cilësinë e ujërave larës, te projekti “EU4Rivers” me Bashkimin Europian dhe iniciativat ligjore që reduktojnë plastikën njëpërdorimëshe, siç ishte rasti i ndalimit të qeseve plastike njëpërdorimëshe dhe së shpejti miratimi i ligjit për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit”. Konferenca “Oqeani ynë” ka mbledhur bashkë ministra dhe politikanë të nivelit të lartë nga e gjithë bota, ndërsa i ftuari i nderit ishte ish-sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry që përshëndeti aktivitetin duke folur mbi planet e përbashkëta për menaxhimin efektiv dhe zonat e mbrojtura ujore.

Edicioni i nëntë i kësaj konference, që po zhvillohet në Athinë, ka për qëllim evidentimin e rolit kryesor që ka Mesdheu në formësimin e dialogut për ruajtjen e oqeanit. Me pjesëmarrjen e shteteve dhe aktorëve joqeveritare, kjo ngjarje synon ndërmarrjen e angazhimeve konkrete për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e oqeanit, që derivojnë nga fushat problematike të diskutuara gjatë konferencës.///

error: