Nga Klodi SARAÇINI
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro iu bashkua ftesës së Administratës së Zonave të Mbrojtura Vlorë për të realizuar ecjen në shtegun “Qafa e Çezarit-Burimi i Ponaçës”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Maleve.
Gjatë takimit me të rinjtë e nxënës nga Dukati, në Qendrën e Vizitorëve të parkut, ministrja Kumbaro u bëri apel të ruajnë dhe të mbajnë pastër malet.
“Ditë e maleve, e tokës e shpendëve të egër, e pyjeve na kujtojnë të gjithëve që nëse nuk e respektojmë natyrën do të na kthehet kundër. Është shumë e rëndësishme që të mos i hedhim plehrat lart e poshtë, pasi helmojnë tokën”, theksoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “me potencialin që ka Llogoraja të vjen keq që njerëzit kalojnë vetëm me makinë që të shkojnë në bregdet. Nëse ofrohen paketa turistike, ku një restorant apo hotel ofrojnë jo vetëm ushqimin dhe fjetjen, por edhe një shëtitje në këtë park”.
“Eksplorimi i shtegut “Qafa e Çezarit – Burimi i Ponaçës” që e përshkuam bashkë, ishte vetëm njëri prej shumë atraksioneve, për të cilat stafi pasionant e i përkushtuar i ADZM Vlorë ofron informacion të plotë pranë qendrës së vizitorëve dhe pikave të informimit”, tha Kumbaro.
Specialistët e ADZM Vlorë theksuan se “Llogoraja dhe Sazan-Karaburuni përbëjnë një kompleks natyror shumë të rëndësishëm”.
Pas takimit të gjithë pjesëmarrësit vazhduan eksplorimin e shtegut “Qafa e Çezarit – Burimi i Ponaçës”, një prej shumë mundësive fantastike që mund të gjesh në Llogora.
Ky shteg mjedisor përshkon pjesën qendrore të Parkut Kombëtar Llogora. Ka një gjatësi prej 2.35 km. Lartësia mbi nivelin e detit varion nga 800 m në hyrje të shtegut dhe arrin deri në afërsisht 950 m. Gjatë shtegut gjendet dhe një nga burimet e PK Llogora, “Burimi i Ponaçes” nga dhe merr emrin ky shteg///

ME SHUME LAJME
Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Policia e Sarandës, kontrolle në Ksamil për nivelin e zhurmave
Himarë. Policia Kufitare shpëton 5 pjesëtarët e një familjeje që rrizkonin të mbyteshin në det