SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Kupola jonë, që jo të gjithë mund ta zënë me gojë

Nga Alba MALLTEZI

Zbërthimi më i fundit i aplikacionit Sky dhe zbulimi i bujshëm i zinxhirit polici-narkotrafikantë, ka lënë pa thënë as edhe një fjalë ata politikanë që do të kishin shumë për të thënë me këtë rast.

Si të ishte skenari më i mirë i ditëve të sotme, i një riprodhimi të “Padrinos” së Francis Ford Coppola-s, opinioni publik shqiptar po sheh dhe po lexon vetëm në pak media se si ka funksionuar Kupola Krim-Shtet në trafikun ndërkombëtar të drogës. Dhe personazhet janë të gjithë shqiptarët tanë. Për koinçidencë, u ngjajnë edhe fizikisht personazheve të “Padrinos” së famshëm: Nofullat, pesha, muskujt, mosha… por edhe sjellja: herë herë babaxhanë, herë herë të respektueshëm, edhe në moshë, por të uritur e të pamëshirshëm për para’. Duket sikur mendimet e njëjta për trafikime dhe krime, skalitin në fytyrë dhe në trup fizionomi të ngjashme.  Kështu është mafia, kështu është kupola: joshëse për një shoqëri, shërbyese për elitën e saj, e pamëshirshme për të thërrmuar çdo pengesë në realizimin e trafiqeve.

Por ndryshe nga mafiozët e Padrinos në filmin aq popullor, të cilët jetonin si “minj” nëpër bodrumet e Amerikës që i ndiqte dhe përndiqte, këta tanët i kishim dhe i kemi në piedestal: Në Shtet, në politikë, në Drejtësi, në media, në biznes, në spektakle, nëpër Shqipërinë e pasur dhe të bukur që të bën ta dëshirosh dhe ta ëndërrosh.E ndërsa përditë zbulohen përgjimet e dekoduara nga aplikacioni “SkyECC”, me të njëjtën shpejtësi, politikanë, gazetarë, media nuk flasin dot asnjë fjalë për këtë. Asnjë rresht të vetëm, asnjë fjali, asnjë deklaratë, asnjë koment. Në ditën e parë, ndërsa u bë arrestimi dhe zbulimi i paimagjinueshëm, gazetarë që qëndronin përballë në studio me Padrinon e padrinove e pyesnin atë për kohën, për retë, për diellin e për çdo gjë tjetër, veç zbulimit të zbulimeve se si ia arrestuan “engjëllin mbrojtës”: Ja, siklete të tilla e shtynë regjisorin brilant, Francis Ford Coppola t’i skaliste Marlon Brandos në personazhin e Don Vito Corleones: Një nofull të stërdalë.

error: