SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Le t’i themi Dhori Q. Qirjazit: Faleminderit!

Nga Pirro Naçi/

Pas një botimi të Akademisë së Shencave të kohëve të fundit u mundova të komunikojë me disa njerëz në Sarandë. Pyeta për Bletën Shqipëtare….Të gjithë më thanë fjalët më të mira për Thimjon ose më saktë për bletëritësin me famë nga Muzina …Pyeta edhe për Dhori Qyriazin, bashkëqyteterin dhe mikun tim. E njihnin si vëllai Mishës dhe i Ndrekos, kaq…. Për Bletën Shqipëtare dhe Dhori Qiriazin nuk jam personi i duhur për t’ju njohur. Këtë do t’ja lë disa shënimeve të Akademisë së Shkencave dhe akademikëve Anila Omari dhe Shaban Sinani. Unë thjesht doja të ndaja me miqtë e mi, por edhe për të evidentuar dhe për të mos haruar vlerat e mëdha dhe kontributin e jashtëzakonshëm të njerëzve të trevës sonë në pasurimin e vlerave kombëtare. Janë vlera edhe për Sarandën që nuk duhet ti humbim apo ti harojmë.…

…Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka botuar në dy vëllime librin e Dhori Q. Qiriazit “Bleta shqiptare, shkrime të tjera dhe dokumente”. Kjo vepër vjen si rezultat i një pune më të hershme të Dhori Qiriazit, aktualisht profesor i gjuhësisë historike në Universitetin Aristotelian të Selanikut, i cili prej vitesh i ka hyrë studimit të thelluar të veprimtarisë mbledhëse e krijuese të rilindasit të shquar Thimi Mitko, ku bëhet fjalë për zbulimin e një një fondi të pasur me dorëshkrime, i ruajtur nga pasardhësit e Mitkos në Aleksandri të Egjiptit, për të cilat prof. Qiriazi ka bërë një punë shumëvjeçare dhe ka nxjerrë në dritën e botimit dorëshkrimin e “Fjalorit shqip-greqisht e greqisht-shqip” bashkë me ndihmesa të tjera leksikografike të Mitkos. Prof. dr. Anila Omari shkruan në recesionin kushtuar librit “Bleta shqiptare, shkrime të tjera dhe dokumente”, botuar nga ASH, që “prof. Dhori Qiriazi është studiuesi i rrallë, në mos i vetmi albanolog në kohën e sotme, i cili ka përgatitjen dhe formimin e duhur gjuhësor e filologjik për t’u marrë me studimin, transkriptimin, përkthimin dhe përgatitjen për botim të një vepre si ajo e Mitkos

….Sipas prof. dr. Anila Omarit në gjurmët e hartimit të veprës së Mitkos, autori mendon se Mitkoja e ka konceptuar veprën si një botim dygjuhësh shqip-greqisht, një ide është në vazhdën e botimeve dygjuhëshe që fillojnë që me librin e parë shqip, Mesharin e Gjon Buzukut, por për arsye ekonomike e ka pakësuar vëllimin e veprës duke botuar vetëm parathënien greqisht. Por me interes është shpjegimi i Mitkos për arsyen e shoqërimit të përrallave shqip me përkthimin greqisht, për t’u ardhur në ndihmë albanologëve.”Libri lidhet me një ngjarje të rëndëshme, siç është Revolucionit grek i vitit 1821, i cili u dha shtysë lëvizjeve kombëtare në Ballkan dhe frymëzoi figura të shquara të Rilindjes shqiptare si Naum Veqilharxhi e Thimi Mitkoja, që ëndërronin çlirimin nga sundimi osman dhe mëvetësimin e kombit te shqiptarëve. Për rëndësinë e librit dhe punën e vyer të autorit akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave ka shkruar në parathënien e këtij botimi si më poshtë:Ky vit që po mbyllet ishte parashikuar dhe duhej të ishte kushtim jubilar për 200-vjetorin e lindjes së Thimi Mitkos. Një kushtim i merituar, për rolin që ka luajtur jo vetëm Bleta shqiptare, por e gjithë veprimtaria diturore e Mitkos, që po vjen e ndriçohet gati në mënyrë tërësore, falë punës së jashtëzakonshme të studiuesit

Dhori Q. Qirjazi, i cili përfundimisht e ka identifikuar veten, përmes kërkimeve të gjata, duke filluar që nga viti 2005, në mos edhe më herët, me veprën e këtij protagonisti që pret me modesti t’i njihen punët dhe veprat.Botimi anastatik i Bletës shqiptare, i dokumenteve të panjohura që lidhen me historinë e saj, i trashëgimisë tjetër të Mitkos gjithaq të panjohur (letërkëmbim, shkrime letrare), pas Fjalëtores shqip-gërqisht e gërqisht shqip, përgatitur për botim po nga Dhori Q. Qirjazi, është ngjarje shkencore me rëndësi për trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar, në kuadër të së cilës përfshihet. Është ngjarje edhe për filologjinë shqiptare, e cila, me punën e gjatë dhe të palodhshme të Eqrem Çabejt, Namik Ressulit, Viktor Volajt, Martin Camajt, Titos Jochalas-it, Francesco Altimarit, Matteo Mandalàsë, Rexhep Ismajlit, Anila Omarit, Bardhyl Demirajt, po konfirmon statusin e saj epistemologjik si një disiplinë që ndërmjetëson me besnikëri autorin me lexuesit, pavarësisht se kur kanë shkruar, cili ka qenë rendi i gjuhës shqipe, me çfarë sistemesh grafematike është shkruar. Dhori Q. Qirjazi ka një vend të posaçëm në gjithë këtë rritje të ndërlikuar, sidomos për shkrimet që vijnë shqip përmes një procesi tejshkrimi që është shumë e vështirë të përfytyrohet…

.Sa i takon Dhori Q. Qirjazit, vlerësimi për punën e tij do të kërkonte shqyrtime të thelluara, sepse është një punë që ndërthur shumë kompetenca, jo vetëm në njohje të gjuhëve dhe sistemeve shkrimorë, jo vetëm në pikëpamje të zotërimit të parimeve të filologjisë së tekstit, jo vetëm në histori shkrimesh dhe alfabetesh, arkeografi dhe në paleografi, por edhe në historinë e mendimit dhe të kulturave, sidomos të raporteve ndërballkanike në një periudhë kur të gjithë popujt e Rumelisë qëndronin krah për krah njëri-tjetrit, me një dëshirë e një qëllim, për të shpëtuar nga perandoria e selçukëve. I gjori Mitko, më i përuluri ndër mëmëdhetarët korçarë, siç e cilëson Dhori Q. Qirjazi, më në fund qëlloi me fat, që vepra e tij ra në duart e këtij studiuesi të zot, që i kushtoi asaj mend e zemër, shpirt e frymë…. Dhori Q. Qirjazi ka meritën që, duke iu kushtuar rikthimit të Bletës, nuk la arkiv e bibliotekë pa kërkuar, nuk la miq e kolegë pa i trazuar (dhe sa mirë bëri!), nuk la institucion akademik e universitar pa trokitur, nuk la koleksion shtypi pa lexuar, që Mitko të mbërrinte në këtë jubile të lindjes së tij me gjithë dinjitetin që meritonte.

Dhe ia arriti qëllimit.Nga ky botim në dy vëllime i veprës së Thimi Mitkos në 200-vjetorin e tij të lindjes, pjesë e programit të veprimtarisë botuese të Akademisë së Shkencave për vitin 2020, na vjen këshilla për rivlerësimin dhe rishqyrtimin me përgjegjësi të burimeve arkivore të Rilindjes, duke përfshirë ato që njihen, duke krijuar sinergji pune midis specialistëve më të formuar, larg egoizmave dhe prirjeve për të punuar secili më vete, me vetëmjaftueshmëri egoiste. Nuk mund të lihet pa përmendje edhe një vlerë tjetër e këtij botimi, i cili do të na bëjë të kuptojmë se lëvizja rilindëse shqiptare nuk ishte një dukuri ishullore….Le t’i themi Dhori Q. Qirjazit: Faleminderit!Dhe për ta mbyllur pas këtyre shënimeve të akademikëve Omari dhe Sinani unë do të shtoja: 200 vjetori i Thimi Mitkos dhe 200 vjetori i Revolucionit Grek mund të sillte më afër Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademinë e Shkencave të Greqisë për të organizuar veprimtari dhe për të promovuar këto vlera të mëdha, për të shijuar mjaltin e Bletës së Mitkos dhe ‘’Bletës’’ së Revolucionit të 1821-së. Të njëjtën gjë mund të shtoja edhe për organet shtetërore qëndrore dhe lokale.///

error: