Hyrjet e të huajve në Shqipëri në fund të 2019-s ishin 6.4 milionë, duke e bërë atë një tjetër vit të suksesshëm për turizmin. Por vazhdimi i historisë së suksesit në vitin aktual varet shumë nga sa seriozisht është cenuar imazhi turistik i vendit nga tërmeti i 26 nëntorit. Ky rast nuk është as i pari dhe as i fundit për zona turistike që goditen nga fatkeqësitë, rëndësi në këto raste marrin masat e rimëkëmbjes. Konsolidimi i paketave rajonale, promovimi i duhur ndërkombëtar, marrja e leksioneve të gatshme nga rastet e ngjashme, fokusi i integruar i rindërtimit janë ingredientë që ju dhanë Shqipërisë nga të huajt në një recete që synon rimëkëmbjen e turizmit. Agjencitë e huaja polake, nordike dhe gjermane presin që nëse hapat hidhen siç duhet viti 2021 mund të jetë një tjetër vit pozitiv.
Greqia, një nga destinacionet më interesante turistike që ka marrë vëmendjen e shqiptarëve sidomos viteve të fundit priti në 2019 rreth 32 milionë turistë. Shifrat e saj u lëkundën disi për shkak të falimentimit të agjencisë Thomas Cook në 2019 si dhe rritjes së vëmendjes ndaj Egjiptit. Edhe pse një destinacion i konsoliduar turistik me një paketë të plotësuar, Greqia nuk ka qenë imune ndaj situatave të vështira në sektor ndaj të cilave i është dashur të marrë masa për të rifituar vëmendjen e turistëve të huaj. Ambasadorja e Greqisë në Tiranë Sophia Philippidou solli në vëmendje dy raste kur Greqisë i është dashur që për hir të turizmit të angazhohet me plane konkrete në përmirësimin e imazhit teksa nënvizoi se Shqipëria ka një detyrë të vështirë sa i përket rindërtimit.
“Produkti turistik është shumë i rëndësishëm për Greqinë dhe është një segment jashtëzakonisht i rëndësishëm për Produktin e Brendshëm Bruto. Doja të ndaja këtu disa nga përvojat tona. Një pjesë e mirë e destinacioneve turistike janë të ekspozuara ndaj sfidave, qofshin këto dhe sfida natyrore. Për këtë arsye Ministra greke e Turizmit ka një sërë procedurash dhe paketash për të zbutur apo ulur ndikimin negativ. Do të përmendja këtu dy incidente që kanë ndodhur dhe kanë qenë një sfidë për Greqinë në lidhje me turizmin.
E para, në vjeshtë ishte falimentimi i kompanisë Thomas Cook, që pati ndikim negativ në shumë vende, përfshirë këtu Greqinë, sepse bëhej fjalë për miliona turistë. Në këtë rast Ministria greke e Turizmit vuri në lëvizje një komision që merret me menaxhimin e krizës, i cili u lidh me kompani të ndryshime turistike, agjenci, hotele dhe vendosi disa procedura për të trajtuar aspektet që kishin të bënin sidomos me personat që humbën vendet e punës për shkak të falimentimit të kësaj kompanie dhe masa të tjera për të ndihmuar bizneset që u ndikuan nga këto.
Një tjetër problem dhe që ju e njihni janë valët e refugjatëve drejt ishujve të ndryshëm sidomos në Egje ku bëhet fjalë për ishuj shumë të frekuentuar si Kios, Samos dhe Lesbos. Turizmi ra ndjeshëm gjatë vitit 2015 dhe autoritetet krijuan një plan veprimi për ta sjellë sërish Greqinë në hartën e turizmit, duke nxitur dhe promovuar ishuj të ndryshëm në seminare, konferenca, ekspozita e panaire. U organizuan udhëtime të ndryshme duke ftuar operatorë të ndryshëm në këto ishuj, blogera si dhe duke zbatuar një fushatë promovimi po përmes rrjeteve të ndryshme sociale. Gjithmonë e më shumë fenomenet natyrore dhe të tjerë po ndikojnë destinacioint turistike. Për të qenë të përgatitur kemi rritur bashkëpunimin me agjencitë e mbrojtjes civile. Në rastin tonë kemi një Sekretariat të Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile. Por kemi dhe autoritete të tjera vendore me të cilët bashkëpunojmë për të rritur bashkërendimin dhe përfshirjen e aktorëve të tjerë të interesit. Ajo që do dëshiroja të thoja si përmbyllje është që si, në rastin e Greqisë, gjatë krizës ekonomike sektori i turizmit ndihmoi shumë ekonominë, ne mendojmë se sektori i turizmit do të ndihmojë shumë ekonominë për rindërtimin në Shqipëri” tha Philippidou (Nertila Maho/ Monitor)
ME SHUME LAJME
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.