Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama është larguar nga të gjitha funksionet në LSI pas humbjes në zgjedhje.
“Humba në zgjedhje, largohem nga të gjitha funksionet në LSI. Drejtuesi mban përgjegjësi edhe kur nuk është përgjegjës”, shprehet Rama në reagimin e tij.
“Pa asnjë mëdyshje, me bindje dhe shumë ndershmërisht, në përputhje të plotë me parimet dhe kodin tim moral dhe politik sipas të cilit, drejtuesi mban përgjegjësi edhe kur nuk është përgjegjës, kam vendosur të ndërpres angazhimin tim prej të gjithë funksioneve dhe përgjegjësive partiake të përfaqësimit në strukturat dhe forumet drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke marrë në këtë mënyrë përgjegjësitë që më takojnë për humbjen e LSI-së në qarkun e Vlorës. Rezultati i zgjedhjeve që LSI arriti në qarkun e Vlorës, është nën nivelin e mundësive reale të votuesve që LSI ka në atë qark. Është rezultat i papërligjur politikisht, larg pritshmërive dhe objektivave të përcaktuar”, thekson Rama.
“Për rrjedhojë, pavarësisht rrethanave specifike dhe paradoksalisht penguese prej faktorësh jashtë politike që u krijuan në Vlorë, unë nuk mund të justifikohem, edhe pse u përpoqa të punoj ndershmërisht dhe me shumë përkushtim me të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së në qarkun e Vlorës”, shprehet ai.
“Nga sa na jep mundësi të lexojmë sot rezultati që përfundimisht është fiksuar në dokumentet zgjedhore, nuk mjaftoi puna që bëmë. Nuk mjaftoi as kontributi dhe e gjithë përvoja ime politike e tridhjetë viteve. Nuk mjaftuan as përpjekjet e mia për të krijuar kohezionin e domosdoshëm shpirtëror në kësi rastesh, duke u ngritur mbi pengesat, intrigat dhe shpifjet e gjithfarëllojshme, që LSI të arrinte rezultatin që meritonte. Me sa duket, kultura dhe etika e komunikimit publik, thjeshtësia dhe sinqeriteti në marrëdhëniet brenda partisë dhe të partisë me qytetarët, qytetaria dhe fryma e tolerancës, nuk mjaftuan që unë dhe LSI të votoheshim për ta përfaqësuar Vlorën në Kuvendin e Shqipërisë”, nënvizon Rama.
“Vendimi im për të ndërprerë angazhimin prej të gjitha funksioneve dhe përgjegjësive partiake të përfaqësimit në strukturat dhe forumet drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim, është në koherencë edhe me frymën dhe përmbajtjen e Programit Politik dhe të Statutit të LSI-së, e cila duke qenë forcë përfaqësuese e rinisë kryesisht, por edhe e më të rriturve me mendësi, mentalitet dhe vizion të ri, duhet të ofrojë modele sjelljesh dhe qasjesh politike që motivohen nga interesi i vendit para atij të partisë në radhë të parë, dhe nga interesi i partisë para atij të individit më tej”, thekson Rama./ata///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade