Ministrja e Kulturës, Elva Margariti kujtoi sot poetin lirik dhe publicistin, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”.
“Kujtojmë sot poetin lirik dhe publicistin e hollë të viteve ’40, Nexhat Hakiu”, shprehet Margariti.
Nexhat Hakiu lindi në Vlorë në 1917, ku kish kryer dhe shkollën tregtare, prej nga dolën dhe shkrimtarët e ardhshëm Sh. Musaraj, P. Marko e A. Varfi. Pasi studioi në Institutin e Lartë Teknik të Selanikut, punoi si gazetar e më vonë si mësues i shkëlqyer i letërsisë në shkollat e Tiranës. U bë bashkëpunëtor i rregullt i organeve letrare-kulturore të kohës: “Bota e re”, “Illyria”, “Përpjekja shqiptare” etj.
Nexhat Hakiu debutoi në letërsinë shqipe nga mesi i viteve ’30 të shekullit të kaluar. E nisi me atë grup vjershëtarësh të rinj që hodhën hapat e parë nën ndikimin marramendës të poezisë së L. Poradecit.
Përmbledhja e tij e parë me poezi dhe ndoshta më e mira është libri “Këngët e Zambares” (1939). Pesë vjet më vonë poezisë së tij i shtohet poema “Kënga e gjakut” (1944), një vepër me frymë antifashiste. Pas çlirimit, vjershat e reja që shkroi i përmblodhi në vëllimet “Këndoj”, “Zëri i pyllit”, “Një lule mbolla” etj.
Talenti i tij u shtri dhe në fusha të tjera të letërsisë. Ai botoi një varg tregimesh të suksesshme me tema patriotike-sociale si “Lulja”, “Një shokut”, “Mbremja e fundit” etj. që dëshmojnë një prirje realiste dhe mjeshtri artistike. Pena e Nexhat Hakiut dha prova të çmuara dhe në fushën c përkthimeve, me shqipërime nga veprat e L. Pirandelos, R. Tagorës, E. Petrarkës, G. Karduci etj. Mendimi kritik letrar është një tjetër vlerë e trashëgimisë së Nexhatit, me një varg artikujsh problemor e studimor që botoi në shtypin e kohës si “Naimi si poet i dashurisë”, “Shkrimtarët dhe populli”, “Degjenerimi i shtypit”, “Librat që na duhen”, “Shkrimtari, frymëzimi dhe origjinaliteti”, “Talentet femërore”, pa harruar komentet estetike mbi Ferrin e Dantes dhe Milosaon e De Radës.
Në vitet e pas çlirimit Nexhati, krahas poezisë, iu përkushtua mësuesisë, duke u bërë një shëmbëlltyrë e rrallë si ligjërues i letërsisë në shkollat e mesme të kryeqytetit. Një ligjërues artist, për nga përgatitja profesionale, për nga interpretimi dhe komentimi, për nga fjala e goditur dhe emocionet fisnike që zgjonte tek nxënësit. Artikujt e tij të botuar në shtypin pedagogjik si dhe librat e botuara, si “Antologji e komentuar”, “Copa letrare të komentuara në ndihmë të mësuesit”, “Edukimi ideo-estetik përmes letërsisë”, “Studimet për poezinë e Lasgushit e A. Asllanit” mbeten një model dhe sot e kësaj dite për shkollën shqiptare.
Në 18 qershor të vitit 1978, poeti u nda nga jeta në moshën 61 vjeçare.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI