Një natë përpara finales së madhe të edicionit të 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH, u mbajt sot në Pallatin e Kongreseve, nata e tretë e këtij kompeticoni artistik.
Spektakli i sotëm është etiketuar ““Nata e Nostalgjisë”, përmes tingujve dhe këngëve më të njohura ndër vite të autorëve dhe poetëve të Festivalit.
Nata e tretë, nisi me performancën e këngëtares, njëherësh prezantueses së këtij edicioni, Arilena Ara, e cila interpretoi hitin “Shaj”, për t’u duartrokitur gjatë nga spektaktorët e pranishëm në Pallatin e Kongreseve.
Bashkëprezantuesi, Salsano Rrapi tha se në natën finale, do të kalojnë pesë artistë të rinj që interpretojnë ditën e sotme.
Më pas, mbrëmja vazhdoi me interpretimin e këngëtarëve Alis dhe Anxhela Peristeri, të cilën risollën në skenë, hitin e famshëm të Ardit Gjebreas, “Jon”. Gjithashtu, Sara Kapo dhe Eneda Tarifa kënduan një prej këngëve të të mirënjohurës Alida Hisku, “Vajzat e fshatit tim”.
Të tjerë këngëtarë të njohur që u ngjitën në skenën e natës së tretë të edicionit të 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH, ishin Lynx dhe Altin Goci, Rezarta Smaja dhe Sidrit Bejleri, Luna Çausholli dhe Kelly, Kleansa dhe Gili, Erik Lloshi dhe Mateus Frroku etj.
Në “Natën Nostalgjike” të mbrëmjes së sotme, kompozitori Zef Çoba tha se “festivali është një sintezë arritjesh artistike, si në fushën e krijimtarisë muzikore dhe poezisë, ashtu edhe në interpretimin instrumental me orkestrën e mrekullueshme të RTSH-së dhe në mënyrë të veçantë nga artistët vokalë. Në këto vite, evolucioni i vokalit ka arritur nivele shumë të mira. Festivali është gjithashtu një spektakël i bukur, ku magjia e skenës e bën përvojën të paharrueshme”.
Më 20 dhjetor, mbahet edhe nata finale ku do të shpallet edhe fituesin e edicionit të 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026.
Formula e përzgjedhjes së fituesit/es së këtij viti, është një balancë mes votave të jurisë (50%) dhe votave publikut (50%) përmes votimit me SMS.
Nata e III e festivalit të këngës në RTSH – Foto: Andrin Hoxha.(Ermira ISUFAJ)///














ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.