/ANSA/ – Qendra Botërore e Tregtisë vazhdon të shkaktojë viktima në Nju Jork, pasi në prag të përvjetorit të saj të 22-të, Departamenti i Zjarrfikësve shtoi 43 emra të rinj në Memorialin e Qendrës Botërore të Tregtisë, që përkujton zjarrfikësit e goditur nga sëmundje kërcënuese për jetën në lidhje me punën e tyre humanitare midis rrënojave të kontaminuara të Kullave Binjake.
“Ne shpesh reflektojmë për atë që ndodhi më 11 shtator, por mbaj mend edhe datën 12”, tha kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, një ish-kapiten policie që ishte mes shpëtimtarëve ditën e masakrave.
Shtesat në Memorialin e krijuar 12 vjet më parë me 55 emra, e çojnë në 331 numrin e zjarrfikësve për të cilët tymrat toksikë nga Qendra Botërore e Tregtisë ishin vdekjeprurës, pothuajse e barabartë me atë të zjarrfikësve që vdiqën teksa ngjiteshin në Kullat Binjake në ditën e sulmi më i rëndë terrorist në SHBA.
Në prag të përvjetorit, autoritetet e Nju Jorkut kanë vendosur ndërkohë emrat e dy viktimave të tjera të masakrave.
”Burri dhe gruaja, emrat e të cilëve nuk u bënë publik me kërkesë të familjeve të tyre, janë përkatësisht viktimat e 1648-të dhe 1649-të që ka identifikuar mjekësia”, bëri të ditur zëdhënësi i kryetarit të bashkisë, falë analizave të avancuara të ADN-së.
Dy vjet më parë, me rastin e 20-vjetorit të masakrave, Presidenti Joe Biden vizitoi të tre vendet e sulmeve (përveç Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Departamentit të Mbrojtjes, gjithashtu edhe fushën e Shanksville në Pensilvani, ku u rrëzua avioni i ”United”, i katërti i rrëmbyer nga terroristët e Al Kaedës), ndërsa vitin e kaluar foli në Pentagon.
Këtë vit, duke u kthyer nga G20-a dhe më pas nga Vietnami, kreu i Shtëpisë së Bardhë do të kufizohet në një ceremoni gjatë një ndalese në Anchorage, Alaska, pasi ia ka lënë detyrën e përfaqësimit të tij në Nju Jork zëvendëses, Kamala Harris dhe Zonjës së Parë, Jill Biden për të vendosur një kurorë lulesh në Departamentin e Mbrojtjes.
Ndërkohë, tre ditë më parë Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë disa nga kushtet e kërkuara nga avokatët e Khalid Sheikh Mohammed, krahut të djathtë të Osama bin Ladenit që konsiderohet arkitekti i masakrave dhe katër të burgosurve të tjerë në Guantanamo të akuzuar për komplot për të sulmuar SHBA-në.
Marrëveshja e propozuar, e kritikuar ashpër nga familjet e viktimave, përfshinte një pranim fajësie dhe burgim të përjetshëm në këmbim të garancive se të pestë nuk do të vendoseshin në izolim dhe do të merrnin trajtim për traumat e vuajtura nga torturat.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit